Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar se Ankaraja është e gatshme të luajë rolin e ndërmjetësuesit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, me synim uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës në rajon.
Në një intervistë për gazetën saudite Asharq al-Awsat, Erdogan theksoi se Turqia do të vazhdojë kontaktet diplomatike në këtë drejtim. “Jemi të gatshëm të shërbejmë si ndërmjetës midis Iranit dhe SHBA-së për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur problemet. Do të vazhdojmë përpjekjet tona dhe kontaktet përkatëse”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit turk ritheksoi gjithashtu kundërshtimin e Ankarasë ndaj çdo veprimi ushtarak kundër Iranit. “Ne kemi dalë hapur kundër çdo hapi ushtarak kundër Iranit në të gjitha platformat”, tha Erdogan, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë.
Duke folur për koordinimin rajonal, Erdogan bëri të ditur se Turqia po vepron në bashkëpunim me partnerët e saj. “Ne vazhdojmë kontaktet me vendet mike, përfshirë Arabinë Saudite dhe Pakistanin. Këtë çështje nuk e trajtojmë me një mentalitet blloku apo aleance”, shtoi ai.
Deklaratat e Erdoganit vijnë në kuadër të një vizite zyrtare në Arabinë Saudite, ku ai mbërriti të martën për bisedime me Princin e Kurorës dhe Kryeministrin Mohammed bin Salman Al-Saud. Gjatë turneut dy-ditor në rajon, presidenti turk pritet të vizitojë edhe Egjiptin, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.

