Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar të marrë pjesë në eventin vjetor ndërkombëtar të kompanisë lidere globale Technogym, “Technogym Innovation Outlook 2026”, i cili po mbahet në Itali dhe ku marrin pjesë qindra profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues nga mbarë bota.
Ky event prestigjioz shërben si platformë globale për prezantimin e teknologjive më të avancuara në fushën e sportit, fitnesit, shëndetit dhe mirëqenies, si dhe për diskutimin e trendeve të reja dhe mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar, të zhvilluara nga dhe në bashkëpunim me Technogym.
Gjatë kësaj vizite, e cila vjen si rezultat i vizitës së mëhershme të përfaqësuesve të Technogym-it në UBT, Rektori Hajrizi u takua dhe zhvilloi biseda me udhëheqës të departamenteve të edukimit, shkencës, zhvillimit dhe projekteve të Technogym-it, me fokus të veçantë bashkëpunimin në implementimin e teknologjive dhe programeve të kësaj kompanie në ekosistemin e UBT-së. Kjo pritet të mundësojë realizimin e plotë të konceptit UBT Wellness City, si një komponent thelbësor i UBT Smart City.
Në këtë kontekst, modeli i zhvilluar UBT 5S (Small Smart Self-Sustain City), i zbatuar në UBT Smart City, kompletohet edhe me komponentën e mirëqenies dhe stilit të jetesës. Kështu krijohet një model unik që përfaqëson qasjen e re të jetesës urbane, duke ndërlidhur teknologjinë e avancuar, inteligjencën artificiale, sportin, nutricionin, shëndetin dhe rehabilitimin në një ekosistem të vetëm, të integruar, të personalizuar dhe të qëndrueshëm.
Përmes këtij ekosistemi, nxënësve, studentëve, stafit akademik dhe administrativ, institucioneve dhe komunitetit të gjerë në Kosovë u ofrohet një sistem i kompletuar për fitnes, wellness, sport, rehabilitim dhe stil jete, i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe i mbështetur nga teknologjitë dhe sistemet më të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, e cila mundëson mbështetje të personalizuar për secilin individ.
Ky vizion bëhet i mundur falë faktit se ekosistemi i UBT-së tashmë është ndërtuar mbi baza të forta edukative, shkencore, inovative, zhvillimore dhe klinike, duke e pozicionuar UBT-në si një qendër rajonale dhe më gjerë në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të integruar.
Një bashkëpunim i tillë me Technogym pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve në kampuset e UBT-së, në qendrat e trajnimit, shërbimet shëndetësore dhe spitalore, si dhe në zhvillimin e aktiviteteve sportive, duke e forcuar më tej rolin e UBT-së si lider në inovacion, transformim shoqëror dhe zhvillim ekonomik. Siç u theksua edhe nga Presidenti i Technogym, bota po kalon – dhe duhet të kalojë – nga Green Economy në Wellness Economy.

