Deri me 4 mars Kosova duhet ta ketë presidentin e ri, ose qytetarët e vendit do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Kësisoj, deputetët e legjislaturës së re të parlamentit, ende të pa konstituar, kanë kohë një muaj që ta ‘’shpëtojnë’’ vendin nga zgjedhjet e reja. Megjithatë, edhe pse mund të tingëllojë si proces i thjeshtë, në fakt, e çështja është më e komplikuar se aq,
Arsyeja për këtë është se duhet së paku 80 vota gjatë zgjedhjes së kryetarit të shtetit. Pikërisht kjo arsyeje, dhe qëndrimet e ‘’mjegullta’’ të partive ka bërë njohësit të aludojnë se gjasat më të mëdha janë zgjedhjet e reja, që do të ishin të pestat brenda 13 muajve.
Vjosa Osmani, ajo që mban ende këtë pozitë, 5 vite më parë gëzoi përkrahje të madhe nga deputetët. Porse, ky fundmandatat, e gjen atë në një situatë tjetër. Përderisa ajo tashmë ka deklaruar haptazi se dëshiron sërish pozitën e të parës së vendit, qëndrimet e partive, përfshirë edhe ata që e përkrahën fuqishëm atë pesë vite më parë, Lëvizjes Vetëvendosje, s’janë të qarta.
Lideri i kësaj të fundit, Albin Kurti, tashmë ka përsëritur disa herë deklaratën që duhet diskutime edhe më partitë e tjera. Jozyrtarisht, spekulohet se Kurti i ka thënë Osmanit se ai do t’ia siguronte votat e VV’së nëse ajo i siguron tjerat. Merret vesh se Osmani tashmë ka filluar të kontaktojë deputetë.
Qëndrime se ‘’duhet diskutime e konsensus’’ kanë edhe partitë e tjera. Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës, janë dy partitë që kanë bërë thirrje të tilla për marrëveshje politike e kandidat konsensual.
Porse, partia e katërt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka ‘’marrë një rrugë tjetër’’. Kjo parti po shtyn përpara idenë se lideri i saj, Ramush Haradinaj, duhet ta gëzojë pozitën e presidentit.
Përvoja si ish-kryeministër, e një nga figurat më të rëndësishme të UÇK’së, janë gjërat në cilat aludohet se Haradinaj, do të ishte figura më e mirë konsensuale për president, sipas tyre.
Vetë Haradinaj, i cili deri tani është kandidati i vetëm që po sfidon Osmanin, nga ana e opozitës, është duke zhvilluar vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë viteve të fundit ai është thirrur në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA’të për të cilat ka pasur kritika se kohëve të fundit s’janë të mira.
Anëtari i partisë së tij, Besnik Tahiri, në një lidhje direkte nga SHBA’të, ka vlerësuar se Haradinaj është një prej kandidatëve ‘’më të denjë’’ që ka vendi për këtë pozitë.
‘’Normal se nuk ka qenë një ambicie e fshehur e zotit Haradinaj për këtë. Por kjo nuk varet as nga Amerika, as nga kongresi, as kurrëfarë lidhje, kjo varet nga vetëdija politike e një vendi, në qoftëse ka vetëdije politika brenda kuvendit, unë mendoj që zoti Haradinaj është një nga kandidatët më të denjë që ka Kosova’’, ka deklaruar ai.
Ai ka paralajmëruar konsultime me PDK e LDK për këtë. Haradinajn për president, si kandidat ‘’serioz’’ e ka vlerësuar edhe Lulzim Peci. Ky i fundit, në RTV21, ka thënë se këtë vlerësim e ka duke u ‘’bazuar edhe në të kaluarën’’. Ndërkaq për Osnanin, ai ka thënë se presidentja ‘’ndihet e pasigurt’’.
”Vjosa Osmani ndihet e pasigurt që do propozohet për presidente të vendit,Ramush Haradinaj është kandidat serioz për postin e presidentit, duke u bazuar edhe në të kaluarën, por problem nuk do të jetë mbledhja e votave, por problem i tij është votimi, nuk besoj që VV-ja do ta votoj, në anën tjetër mund të shërbej që në sallë do të jenë 80 deputetë”, ka deklaruar mbrëmë Peci.
Për çështjen e presidentit, ka pasur deklarime të shumta. Megjithatë, deklarimet kanë qenë më shumë rreth situatë në të cilën do të gjendet vendi pas 4 marsit: Me presidenti të ri, apo me zgjedhje të reja.
Porse, një koment ndryshe ka dhënë Blerim Shala. Shala, në një opinion të tijin, ka deklaruar prerazi, se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja, duke shtuar se ‘’këtë duhet thënë troç që të gjithë ne: qytetarët dhe politikanët e Kosovës.’’.
Në shkrimin e tij, ai ka shtuar edhe se, partitë duhet të kenë ‘’diskutim të ndershëm’’ për zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës.
Ndryshe, procesi i zgjedhjes së presidentit/es të ri/të re, mund të zhvillohet deri në tri faza ose raunde. Në dy raundet e para, është e domosdoshme që në sallë të jenë së paku 80 deputetë. Ndërsa në raundin e tretë, mjafton edhe shumica e thjeshtë. Për të qenë kandidat, një person duhet të sigurojë 30 nënshkrime të deputetëve, nga 120 sa janë. /GazetaExpress

