Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin e plotë për rastin e ankesës së Listës Serbe për zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb. Kushtetuesja me shumicë votash ka konsideruar se ky vendim i datës 10 tetor 2025 është në kundërshtim me paragrafin 4 të Nenit 67 për Zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve dhe gjithashtu në kundërshtim me nënpargarfin 1 të paragrafit 6 dhe nënparagrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës.
Në lidhje me këtë ka reaguar Elbert Krasniqi, ministër në detyrë për Administrimin e Pushtetit Lokal, duke shkruar. në emër emër grupit parlamentar multienik që përbëhet nga 8 deputet të Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO dhe LPRK.
Ai ka shprehur shqetësimt ë thellë për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuse, duke thënë se në atë seancë të zgjedhjes së Nenad Rashiq janë përmbushur qartë të dy kushtet e përcaktuara në nenin 67, paragrafi 4 të Kushtetutës.
Ai ka thënë se “Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë në konsideratë një fakt thelbësor: diskriminimin e drejtpërdrejtë që do t’i shkaktohej një deputeti të komunitetit serb nëse do t’i mohohej e drejta për të kandiduar vetëm pse nuk i përket një subjekti të caktuar politik”.
Postimi i plotë në Facebook:
Në emër grupit parlamentar multienik që përbëhet nga 8 deputet të Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO dhe LPRK, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me aktgjykimin KO 325/25, të publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese, të njohur si rasti Rashiq.
Me rastin e zgjedhjes së deputetit Nenad Rashiq, ne seancën e 10 tetorit 2025, janë përmbushur qartë të dy kushtet e përcaktuara në nenin 67, paragrafi 4 të Kushtetutës: kandidimi ka ardhur nga radhët e komunitetit serb dhe zgjedhja është bërë me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit. Pra, kemi të bëjmë me një votim legjitim, ligjor dhe proceduralisht të rregullt, që shpreh vullnetin politik të 71 deputetëve. Megjithatë, ky vullnet është anashkaluar nga Gjykata.
Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë në konsideratë një fakt thelbësor: diskriminimin e drejtpërdrejtë që do t’i shkaktohej një deputeti të komunitetit serb nëse do t’i mohohej e drejta për të kandiduar vetëm pse nuk i përket një subjekti të caktuar politik. Mohimi i kësaj të drejte do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit përkatësia partiake do të mbizotëronte mbi përkatësinë komunitare, një standard që nuk buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Vendimi lë gjithashtu përshtypjen se ekzistenca politike e deputetit Nenad Rashiq është injoruar. Në leximin praktik të aktgjykimit, mesazhi që mund të perceptohet është i thjeshtë dhe shqetësues: nëse nuk jeni pjesë e Listës Serbe, jo vetëm që e keni pothuajse të pamundur të zgjidheni, por rrezikoni të mos trajtoheni as si përfaqësues legjitim i komunitetit tuaj.
Por kështu nuk shkruan në Kushtetutë.
Kushtetuta garanton përfaqësim të komuniteteve, jo monopol politik mbi to. Ajo nuk e kushtëzon legjitimitetin me përkatësinë ndaj një partie, as nuk e redukton pluralizmin në një adresë të vetme politike. Çdo interpretim që prodhon një efekt të tillë rrezikon të ngushtojë hapësirën demokratike dhe të dobësojë vetë frymën shumetnike mbi të cilën është ndërtuar Republika jonë.
Sot, çdo qytetar që i përket komuniteteve pakicë pyet me të drejtë: në cilin nen të Kushtetutës mbështetet detyrimi për të zgjedhur patjetër nga një subjekt i vetëm politik? Në mungesë të një përgjigjeje të qartë, krijohet perceptimi se standarde të reja po ndërtohen përmes interpretimit, e jo përmes tekstit kushtetues.
Ne besojmë se mbrojtja e komuniteteve nuk arrihet duke kufizuar pluralizmin e tyre politik, por duke garantuar barazi reale ndërmjet përfaqësuesve. Demokracia bëhet më e fortë kur asnjë qytetar dhe asnjë deputet nuk trajtohet si i padukshëm për shkak të bindjeve apo përkatësisë së tij politike.
Prandaj, bëjmë thirrje që ky aktgjykim të lexohet me kujdes në dritën e pasojave që mund të prodhojë për përfaqësimin demokratik. Sepse Republika e Kosovës nuk është ndërtuar mbi monopole politike, por mbi lirinë e përfaqësimit dhe barazinë kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj.

