E ardhmja politike e Marine Le Pen po vihet seriozisht në pikëpyetje, pasi prokurorët shtetërorë francezë kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit të mbajë në fuqi ndalimin pesëvjeçar për të kandiduar në zgjedhje ndaj lideres së ekstremit të djathtë. Vendimi, nëse konfirmohet, do ta përjashtonte atë nga gara presidenciale franceze e vitit 2027.
Le Pen është dënuar për përvetësim të fondeve të Parlamentit Europian, në kuadër të një skandali të vendeve të punës fiktive, ku fondet e destinuara për asistentë parlamentarë u përdorën për të financuar aktivitetet e partisë së saj në Francë. Prokuroria ka rekomanduar gjithashtu një dënim me katër vite burg, tre prej të cilave të pezulluara, ndërsa një vit të vuhet në arrest shtëpie me byzylyk elektronik, si dhe një gjobë prej 100 mijë eurosh.
“Serioziteti i akuzave do të thotë se çdo sanksion tjetër do të ishte i pamjaftueshëm,” deklaroi prokurori Stéphane Madoz-Blanchet, duke theksuar rëndësinë e dënimit për ruajtjen e integritetit të institucioneve publike.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga një trup gjykues i apelit, i cili do ta shqyrtojë çështjen për disa muaj dhe pritet të japë verdiktin përpara verës. Ndërkohë, procesi në Gjykatën e Apelit të Parisit ndodhet në fazat përfundimtare.
Marine Le Pen, 57 vjeç, kryetare e partisë Nacional Rally (RN), konsiderohej një nga favoritët për zgjedhjet presidenciale të ardhshme, derisa në mars të vitit të kaluar u shpall fajtore për një skemë të gjerë dhe afatgjatë të vendeve të punës fiktive në Parlamentin Europian, duke u ndaluar menjëherë nga kandidimi për pesë vite. Ajo e ka apeluar vendimin, duke kërkuar rrëzimin e dënimit dhe hapjen e rrugës për kandidimin në vitin 2027.
Le Pen mohon se partia e saj kishte ndërtuar një “sistem” për keqpërdorimin e fondeve europiane. Megjithatë, sipas prokurorëve, ajo ishte në qendër të një mekanizmi “të menduar”, “të centralizuar” dhe pothuajse “industrial” për përvetësimin e fondeve të BE-së. Hetimet tregojnë se, nga viti 2004 deri në 2016, fondet e destinuara për asistentë të eurodeputetëve në Strasburg dhe Bruksel u përdorën për të paguar punonjës të partisë në Francë, në kundërshtim me rregullat e Parlamentit Europian.
Prokuroria vlerëson se dëmi ndaj fondeve europiane arrin në rreth 4.8 milionë euro, ndërsa partia, e njohur atëherë si Front National, përfitoi kursime të konsiderueshme përmes kësaj skeme, të dokumentuar sipas tyre në email-e dhe dokumente të brendshme.
Një tjetër prokuror, Thierry Ramonatxo, kritikoi ashpër deklaratat e Le Pen pas dënimit fillestar, kur ajo akuzoi një “tirani të gjyqtarëve” për përpjekje për ta përjashtuar nga politika. “Gjyqtarët thjesht zbatojnë ligjin e votuar nga përfaqësuesit e popullit,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se sulmet ndaj drejtësisë janë të rrezikshme dhe kanë çuar deri te kërcënime me vdekje ndaj gjyqtarëve.
Sipas prokurorisë, gjatë procesit të apelit është vënë re një ndryshim i tonit të Le Pen, më i moderuar krahasuar me deklaratat e saj të ashpra publike të vitit të kaluar.
Edhe pse prokurorët nuk kërkuan që ndalimi pesëvjeçar të hyjë menjëherë në fuqi – çka do të lejonte teorikisht një ankim në Gjykatën e Lartë – një vendim përfundimtar në këtë drejtim do ta përjashtonte praktikisht Le Pen nga gara presidenciale.
Në rast se ndalimi konfirmohet, pritet që figurë kryesore e së djathtës ekstreme franceze të bëhet Jordan Bardella, 30 vjeç, president i Nacional Rally dhe aleat i ngushtë i Le Pen. Vetë ajo ka pranuar së fundmi se Bardella “mund të fitojë në vendin tim”, duke shtuar se, pavarësisht verdiktit, idetë dhe linja politike e partisë së saj “do të mbijetojnë”.

