Prokuroria në Pejë: Mbi 200 komisionerë nën hetim për dyshime për manipulim votash

by engel

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se po vazhdojnë hetimet lidhur me dyshimet për manipulim të votave, ku pritet të intervistohen mbi 200 komisionerë zgjedhorë, si dhe kryesuesit e qendrave të numërimit.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se deri më tani janë intervistuar rreth 30 persona, kryesisht nga komunat e Deçanit dhe Junikut. Sipas tij, këta persona kanë qenë komisionerë dhe aktualisht kanë statusin e të dyshuarve.

banner

Duke folur në emisionin FIVE, Nikçi theksoi se procesi i intervistimit do të zgjerohet në ditët në vijim dhe do të përfshijë edhe më shumë komisionerë nga këto komuna, për të vazhduar më pas me intervistimin e kryesuesve të qendrave të numërimit.

“Deri më tani janë intervistuar rreth 30 persona, kryesisht nga Deçani dhe Juniku, në cilësinë e personave të dyshuar. Nesër do të procedohen edhe komisionerë të tjerë nga këto dy komuna dhe më pas do të pasojë intervistimi i kryesuesve. Ne kemi kompetencë territoriale në pesë komuna dhe në të gjitha kemi grumbulluar prova materiale për të cilat dyshohet manipulim i votave”, ka deklaruar Nikçi.

Ai shtoi se, paralelisht me intervistimet, Prokuroria është duke mbledhur edhe prova materiale dhe se pas përfundimit të intervistimit të komisionerëve dhe kryesuesve do të ndërmerren masat ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, intervistimet po realizohen me autorizimin e prokurorit të shtetit nga hetuesit rajonalë të Drejtorisë së Policisë në Pejë.

I pyetur nëse hetimet do të përfshijnë edhe komunën e Pejës, Nikçi konfirmoi se veprimet hetimore po zhvillohen edhe atje, duke theksuar se pikërisht kjo komunë pritet të ketë volumin më të madh të punës.

Sa i përket lirimit të personave të intervistuar, zëdhënësi i Prokurorisë bëri të ditur se ende nuk është e qartë nëse intervistimet kanë përfunduar plotësisht, duke lënë të hapur mundësinë për veprime të mëtejshme hetimore në ditët në vazhdim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy