Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pasi u kritikua në publik për dekalratën e saj që disa blloqe në KEK do të ndalen për shkak të importit.
Rizvanolli duke e sqaruar deklaratën ka thënë se investimet do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe tjetrit, prandaj deri në përfundim të investimeve importi do të vazhdojë të jetë i tillë edhe gjatë këtyre dy viteve.
Në këtë kontekst ajo ka thënë se këto vite janë sakrificë.
Postimi i plotë:
STOP KEQINTERPRETIMIT E KEQINFORMIMIT
As nuk kam “kërkuar sakrificë”, dhe as nuk kam thënë që “importi do të rritet këtë vit dhe tjetrin”.
Çfarë kam thënë vërtet janë faktet si në vijim:
Një nga arsyet e rritjes së importit gjatë vitit të kaluar ka qenë ndalja e bllokut B2 për të realizuar investimet e domosdoshme që nuk janë bërë për 40 vite (e që jo rrallë në diskursin publik është interpretuar thjesht si “ulje e prodhimit të KEK-ut”, pa sqaruar arsyen dhe përfitimet). Investimet do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe tjetrit, prandaj deri në përfundim të investimeve importi do të vazhdojë të jetë i tillë edhe gjatë këtyre dy viteve.
Prandaj, këto tri vite janë sfiduese, por investimet që po bëhen tani janë një sakrificë që po e bëjmë tash, për të përfituar në afat të gjatë: rritje të jetëgjatësisë së termocentraleve për 20 vite, rritje të kapacitetit të tyre prodhues dhe të sigurisë së furnizimit, dhe ulje të ndotjes nga pluhuri dhe oksidet e azotit.

