Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qartë Iranit se nuk kanë ndërmend të pranojnë kërkesat e Teheranit për ndryshimin e vendit dhe formatit të bisedimeve të planifikuara për të premten, sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios.
Bisedimet SHBA–Iran ishte rënë dakord të zhvilloheshin të premten në Stamboll, me pjesëmarrjen e vendeve të tjera të Lindjes së Mesme në rolin e vëzhguesit.
Megjithatë, të martën pala iraniane kërkoi që bisedimet të zhvendoseshin në Oman dhe të zhvilloheshin në formë thjesht dypalëshe, me arsyetimin se kështu do të përqendroheshin ekskluzivisht në programin bërthamor dhe jo në çështje të tjera, si raketat, të cilat përbëjnë prioritet për SHBA-në dhe vendet e rajonit.
Zyrtarët amerikanë shqyrtuan kërkesën për ndryshimin e vendit, por të mërkurën vendosën ta refuzojnë atë. “U thamë se ose do të bëhet kështu, ose nuk do të bëhet fare, dhe ata u përgjigjën ‘atëherë asgjë’”, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan.
Ai shtoi se, nëse Irani pranon të rikthehet në kuadrin fillestar të dakordësuar, Uashingtoni është i gatshëm të takohet brenda kësaj jave ose javën e ardhshme. “Ne duam të arrijmë shpejt një marrëveshje thelbësore, përndryshe disa do të fillojnë të shqyrtojnë opsione të tjera”, tha ai, duke iu referuar kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump për veprime ushtarake.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë bëjnë të ditur se i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri dhe këshilltari i Trump, Jared Kushner, pritet të udhëtojnë të enjten drejt Katarit për bisedime me kryeministrin lidhur me Iranin. Sipas planifikimit aktual, më pas ata do të kthehen në Majami, pa zhvilluar takim me palën iraniane.
Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të takohen me Iranin brenda javës, por theksoi se bisedimet duhet të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh dhe jo vetëm programin bërthamor.
Rubio konfirmoi se Teherani kundërshton planin e Uashingtonit për zhvillimin e bisedimeve për programin bërthamor të premten në Stamboll. Duke folur për gazetarët, ai tha se SHBA-të kishin besuar se ishte rënë dakord për një kuadër bisedimesh në Turqi, me pjesëmarrjen e vendeve të tjera që dëshironin të ndiqnin procesin. Megjithatë, sipas tij, nga ana iraniane pati deklarata kontradiktore mbi faktin nëse kjo marrëveshje ishte arritur realisht, duke e lënë çështjen të hapur.
“Në fund të ditës, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen dhe kanë qenë gjithmonë të gatshme të bisedojnë me Iranin”, deklaroi Rubio.
Ai theksoi se, për të pasur një rezultat domethënës, negociatat duhet të përfshijnë, përveç programit bërthamor, edhe arsenalin e raketave balistike të vendit, mbështetjen për organizata të cilësuara si terroriste në rajon, si dhe mënyrën se si regjimi iranian trajton popullsinë e vet. /Panorama

