Visar Ymeri paralajmëron bllokim të mundshëm institucional për shkak të vonesave dhe vendimeve juridike

by engel

Analisti politik Visar Ymeri ka ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin e formimit të institucioneve të reja në Kosovë, duke theksuar se disa probleme të papritura po e zvarrisin dhe rrezikojnë bllokimin e tij. Në një intervistë për Gazeta Blic, Ymeri tha se zhvillime si rinumërimi i votave, moscertifikimi i rezultateve të Listës Serbe dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Nenad Rashiqin kanë krijuar pengesa që nuk ishin paraparë.

Sipas tij, procesi që duhej të ishte teknik dhe relativisht i shpejtë, është komplikuar ndjeshëm. “Askush nuk e ka menduar se do të na zgjatet procesi me rinumërim, por ja që doli. Pastaj erdhi problemi me Listën Serbe – kush e ka pritur që të mos certifikohen rezultatet e deputetëve të saj nga KQZ-ja. Tani duhet pritur shqyrtimi i ankesës dhe kjo e zvarrit procesin,” u shpreh Ymeri.

banner

Ai theksoi se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti joshumicë serb, ndonëse i drejtë dhe kushtetues, ka shtuar vështirësi shtesë në rrugën drejt konstituimit të Kuvendit. Sipas Ymerit, qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të mos votuar përfaqësuesin e Listës Serbe mund të çojë në një bllokadë të procesit institucional.

Duke folur për formimin e qeverisë, Ymeri vlerësoi se deri më tani nuk ka pasur shenja të qarta të gatishmërisë nga Vetëvendosje për të kërkuar partnerë qeverisës. Ai tha se kërkesa e deritanishme ka qenë vetëm për bashkëpunim në Kuvend, sidomos për sigurimin e 80 votave të nevojshme për marrëveshjet ndërkombëtare, çështje për të cilën ai nuk pret probleme serioze.

Megjithatë, sipas tij, zgjedhja e presidentit mbetet një nga pengesat kryesore që mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Sa i përket një koalicioni të mundshëm mes VV-së dhe LDK-së, Ymeri e cilësoi një skenar të tillë si të pakuptimtë dhe të paarsyeshëm. Ai rikujtoi se LDK-ja kishte refuzuar ftesat për koalicion gjatë gjithë vitit të kaluar dhe shtroi pyetjen se çfarë do të kishte ndryshuar tani për të justifikuar një bashkëpunim të tillë.

“Nuk shoh interes real nga asnjëra palë për një qeveri koalicioni,” tha Ymeri, duke shtuar se Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme dhe nuk ka nevojë për partner qeverisës. Sipas tij, të gjitha këto diskutime mbeten hipotetike, ndërsa zhvillimet në ditët dhe javët në vijim do të jenë vendimtare për drejtimin politik dhe institucional të vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy