Akuzat se po i “kërcënon” deputetët me kontaktet e saj me Trump – çfarë kishte deklaruar Osmani para disa javësh

by Nexhat

Vjosa Osmanit po i vërehen shumë përpjekjet për të mbetur edhe për një mandat në krye të shtetit. Javë më parë, pa modesti tha se është në interes të qytetarëve që ajo të vazhdojë si presidente, pasi me të do të vazhdonte fuqizimi i aleancave, të cilat janë të rëndësishme edhe për aspektin e sigurisë së brendshme. Po ashtu, Osmani theksoi se qytetarëve u duhet një presidencë që i ka dyert e hapura e që i dëgjohet zëri vazhdimisht. Kjo deklaratë, sipas gazetarit Michael Martens, i bie: “Nëse nuk më rizgjidhni mua presidente, do të keni probleme me SHBA-në”.

Deputetët e ardhshëm, që do të betohen në Kuvendin e Kosovës, me të nisur legjislatura para vetes kanë detyrën për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës deri më 4 mars. Përpara se të vijë kjo datë, presidentja Vjosa Osmani, që po synon të mbesë në këtë pozitë, ka nisur përpjekjet për t’i bindur ata se ajo i duhet Kosovës në krye të saj.

banner

Osmani përfaqësoi Kosovën gjatë ceremonisë së anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes, një nismë e Trump që u refuzua nga shumica e shteteve anëtare të BE-së. Gjatë nënshkrimit të Kartës, Osmani, sikurse liderët e tjerë pjesëmarrës, shtrëngoi dorën me Trump e foli me të për pak çaste.

Raportet e saj me kreun amerikan kanë marrë vëmendjen e gazetarit të Frankfurter Allgemaine Zeitung, Michael Martens, që mbulon rajonin.

Për arsyen se pse deputetët e Parlamentit duhet ta votojnë, Osmani kishte folur para tri javësh. Aty kishte lënë anash modestinë dhe kishte argumentuar se “puna e jashtëzakonshme” e saj duhet të vazhdojë dhe për të mbajtur aleancat.

“Pse e kërkoni edhe një mandat?”, u pyet ajo. Në përgjigjen e saj Osmani kishte thënë se është me rëndësi edhe për sigurinë e Kosovës që ajo të jetë në krye të shtetit.

“Sepse është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është në interes të Republikës së Kosovës që të ketë vazhdimësi të një punë të jashtëzakonshme, vazhdimësi të fuqizimit të aleancave të cilat janë të domosdoshme për suksesin e Republikës së Kosovës jo vetëm në prizmin e jashtëm, por edhe në sigurinë e brendshme për shkak se Kosova e meriton që këto punë të mira të vazhdojmë”.

Ndër të tjera, Osmani thotë: “Neve na duhet një Presidencë që vazhdimisht e ka derën hapur, që vazhdimisht i dëgjohet zëri”.

Në fakt, ajo s’pranoi të komentojë as skenar tjetër ku e sheh që deputetët s’do ta mbështesin, derisa u pyet hipotetikisht nëse partitë opozitare e lëshojnë sallën e nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, a do të hynte ajo në një listë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“S’është skenar që e mendoj për momentin, sepse unë jam e bindur që të gjithë deputetët e Kosovës pavarësisht cilës parti i takojnë do ta vendosin interesin e Republikës së Kosovës të parin dhe pavarësisht asaj që thuhet para kamerave, në takimet e vazhdueshme që unë i kam pasë edhe me njerëz të Vetëvendosjes edhe me ata të partive tjera që konsiderohen opozitare, vazhdimisht ka pasë vlerësim jashtëzakonisht të lartë të punës, sidomos sa i përket kompetencave në politikën e jashtme dhe kemi bashkëpunuar me të gjithë dhe jam e bindur që të gjithë e vlerësojnë këtë punë dhe do ta vlerësojnë edhe kur të vijë dita”, kishte thënë Osmani.

Sidoqoftë, nëse dështon Osmani tha se do të hulumtojë për rrugët se si do ta mbajë veten të angazhuar.

“Nëse nuk zgjidhem presidente do të gjej mënyra që do të kontribuoj për popullin tim. Ka mënyra të shumta”.

Javë më vonë, Osmani organizoi nën siglën e Presidencës në një kinema të kryeqytetit premierën e dokumentarit të Zonjës së Parë të SHBA-së “Melania”, për të cilën dha një sërë lëvdatash. Por, për këtë u kritikua veçmas nga gazetari gjerman të FAZ, Michael Martens, përbëjnë një lloj kërcënimi indirekt ndaj deputetëve të Kosovës.

“Osmani ia paraqet veten publikut si e preferuara e Trump, duke kërcënuar në mënyrë indirekte anëtarët e parlamentit, të cilët zgjedhin presidentin, me kontaktet e saj (të supozuara) të mira me klanin Trump, duke i përdorur ato si armë”.

Sipas Martens, kërcënimi është: “Nëse nuk më rizgjidhni mua presidente, do të keni probleme me SHBA-në”./Gazeta Express

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy