Organizatat studentore të Kosovës mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

by engel

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë takuar sot me përfaqësuesit e organizatave studentore UDS, SKV, USPE dhe REFORMA, të cilat janë pjesë e Parlamentit Studentor të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, organizatat studentore kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Ata kanë theksuar se studentët, historikisht dhe edhe sot, kanë qenë në ballë të kërkesave për dinjitet, drejtësi dhe liri në Kosovë.

banner

Duke folur për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve, Eliza Hoxha ka theksuar se pjesëmarrja e studentëve në këtë marsh përbën një mesazh të fuqishëm qytetar.

“Studentët kanë qenë gjithmonë zëri më i ndershëm dhe më i guximshëm i shoqërisë sonë. Mbështetja e tyre për Marshin ‘Drejtësi, jo politikë’ dëshmon se kjo nuk është një kauzë e një grupi të caktuar, por një thirrje e një brezi që kërkon drejtësi dhe respekt për historinë tonë çlirimtare”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërkaq, Ismail Tasholli ka theksuar se marshi i 17 shkurtit nuk është i drejtuar kundër askujt, por synon mbrojtjen e parimeve themelore të drejtësisë dhe të vërtetës.

“Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë dhe për mbrojtjen e të vërtetës së luftës çlirimtare të popullit tonë. Pjesëmarrja dhe mbështetja e studentëve i japin kësaj thirrjeje legjitimitet moral dhe shoqëror”, u shpreh Tasholli.

Hoxha dhe Tasholli kanë falënderuar organizatat studentore për përkrahjen e dhënë, duke vlerësuar angazhimin e tyre si dëshmi se shoqëria kosovare, e udhëhequr edhe nga të rinjtë, nuk do të heshtë përballë padrejtësive.

Platforma “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, si dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë, me synimin e mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy