Osmanit në rrugën për t’u rizgjedhur i dalin telashe me gazetarin gjerman të FAZ- si nisi historia e përplasjes

by Nexhat

Angazhimi i një avokati në Gjermani dhe shqyrtim i mundësisë për ta paditur gazetarin e ‘FAZ’-it, Michael Martens. Kaq larg ka shkuar puna pas përplasjes së ditëve të fundit në mes të kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, dhe gazetarit gjerman me përvojë që mbulon Ballkanin.

Por cila është rrjedha e ngjarjeve që çuan deri tek kjo përplasje, kur nisi gjithçka?

banner

Martens në dhjetorin e vitit të kaluar ishte tallur me njohjen që Republika e Kosovës kishte siguruar nga shteti i Bahamas, e të cilën e kishte lajmëruar presidentja Osmani.

Gazetari gjerman në një postim në rrjetin social ‘’X’’, me tallje, kishte shtruar pyetjen se si do të ndikojë ‘’boshti i fuqishëm’’, Prishtinë-Nassau në rrugëtimin e njerëzimit.

“Si do ta ndikojë boshti i fuqishëm Nassau–Prishtinë rrugëtimin e njerëzimit në shekullin XXI?”, kishte shkruar ai.

Pas më shumë se një muaji, Martens është lajmëruar përsëri në “X”me një reagim të ashpër e me gjuhë të rëndë ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit kishte organizuar premierën e filmit të gruas së presidentit Donald Trump, Melanias, në Prishtinë.

Gazetari i FAZ kishte pyetur se a e ka vënë dikush në dijeni presidenten në largim të Kosovës, se ekziston një vijë ndarëse në mes të përfaqësimit të shtetit dhe “prostitucionit inteleketual vetë-poshtërues”.

‘’A ia ka vënë ndokush ndonjëherë në dukje presidentes në largim të Kosovës se ekziston një vijë ndarëse mes përfaqësimit të interesave legjitime të vendit tënd dhe prostitucionit intelektual vetë-poshtërues? Zonja Osmani nuk duket se është e vetëdijshme për këtë vijë’’, kishte shkruar Martens në profilin e tij në “X”.

Për këto fjalë, Martens kishte marrë një reagim nga këshilltari i Osmanit, Rinor Nuhiu. Këshilltar i Osmanit i kishte thënë Martensit se duhet t’i vijë turp për fjalët që ka thënë për shefen.

“Të quash një kryetare shteti, e cila po kujdeset për interesat kombëtare të vendit të saj, “prostitutë që poshtëron veten” është e neveritshme dhe e pështirë.Kjo thotë gjithçka për ty dhe për kalbëzimin e mendësisë sate vulgare. Kjo është e sëmurë. Duhet të turpërohesh”, kishte shkruar Nuhiu në reagimin e tij ndaj Martens.

Gazetari gjerman s’kishte qëndruar pa reaguar, duke i thënë këshilltarit të Osmanit, se edhe një prej gazetarëve më të respektuar në Kosovë i ka thënë se Osmani po përpiqet ta paraqesë veten si e pëlqyera e Trumpit për presidente.

“Njëri nga gazetarët më të respektuar kosovarë sapo më shkroi: “Ke plotësisht të drejtë për Osmanin. Sjellja e saj është skandaloze. Ajo është e dëshpëruar për t’u rizgjedhur dhe po përpiqet ta shantazhojë Kuvendin: ‘Unë jam kandidatja e Trumpit dhe ju duhet të votoni për mua.’ E turpshme. E neveritshme.”, ishte kundërpërgjigjur Martens.

Për këto fjalë që Martens kishte thënë në drejtim të Osmanit, gazetari boshnjak, Jasmin Mujanovic, kishte kërkuar një reagim dhe tërheqje nga gazeta “FAZ”. Megjithatë Martens pa u zmbrapsur fare, i ka thënë gazetarit Mujanovic se ka kaluar koha e censurës.

“Përpjekjet për t’i censuruar apo për t’i larguar nga puna njerëzit për mendime legjitime do të dështojnë. Prandaj, le ta përsërisim: afrimi servil me banditët e Trumpit, kur kjo mund të shmangej (dhe në këtë rast ishte e shmangshme), është vërtet prostitucion intelektual”, kishte shkruar Martens.

Pas kësaj, gazetari gjerman Martens nga llogaria e tij në “X” ishte lajmëruar edhe me një shkrim në gazetën e famshme gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke shkruar se Osmani po dëshiron ta paraqes veten si një kandidate për presidente që po pëlqehet nga familja Trump.

“Ndoshta asnjë vend në botë nuk është aq pro-amerikan sa Kosova. Presidentja Osmani dëshiron ta sigurojë rizgjedhjen e saj me ndihmën e familjes Trump. Mund t’i funksionojë – por nuk është e domosdoshme”, thuhet në shkrimin e FAZ.

Pas tekstit të publikuar në FAZ, këshilltari i Osmanit, Rinor Nuhiu, kishte thënë se janë duke u konsultuar me avokatë në Gjermani për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Martens.

Martens në reagimin e tij ndaj këtij paralajmërimi për veprime ligjore kundër tij nga Presidenca e Kosovës, ka rikujtuar punën e tij për më shumë se 30 vjet duke shkruar edhe për oligarkët rus, kriminelët e luftës serbe e shumë të tjerë dhe asnjëherë s’është paditur.

“Por tani, Presidenti i një vendi evropian njofton një padi të mundshme kundër punës sime. Në rregull. Kjo të paktën do të siguronte që njerëzit që përndryshe nuk do ta kishin vënë re kurrë tekstin për Presidenten Osmani, tani patjetër do ta vënë re. Efekti Streisand, bëri magji.”, ka shkruar Martens.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy