Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit takime të ndara me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph, dhe Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai bëri të ditur se gjatë këtyre ditëve ka pranuar gjithashtu urime për Kuvendin demokratik të LDK-së edhe nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Anu Prattipati, si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves.
Kryetari i LDK-së shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin LDK-së dhe Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik.
Ai theksoi se këta partnerë mbeten aleatë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe mbështetës të demokracisë së saj.
Në kuadër të këtyre takimeve, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj situatës së krijuar, si dhe për domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale, në përputhje me vullnetin qytetar dhe parimet demokratike.
Kryetari i LDK-së theksoi gjithashtu nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore.

