Kushtetuesja e Hagës rrëzon ankesën e Thaçit për shkelje të të drejtave

by Nexhat

Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka shpallur të papranueshme ankesën e ish-presidentit Hashim Thaçi, e cila kishte të bënte me pretendime për shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë procedurave në rastin për administrim të drejtësisë.

Ankesa ishte dorëzuar më 29 dhjetor 2025 përmes avokatëve Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq.

banner

Në parashtresën e tij, Thaçi kishte kundërshtuar ligjshmërinë e caktimit të gjyqtarit që autorizoi masat e veçanta hetimore, duke pretenduar se i njëjti gjyqtar ishte emëruar edhe si gjyqtar i procedurës paraprake, në kundërshtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Po ashtu, ai kishte ngritur pretendime për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, duke argumentuar se masat e veçanta hetimore të autorizuara ndaj tij nuk ishin marrë “në përputhje me ligjin”.

“Parashtruesi po ashtu u ankua se masat e posaçme hetimore dhe masat e tjera të autorizuara ndaj tij nuk ishin marrë ‘në përputhje me ligjin’, meqë gjyqtari i vetëm në dosjen hetimore dhe gjyqtarja e procedurës paraprake në Çështjen 12 ishin caktuar në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit. Sipas Parashtruesit, kjo përbënte shkelje të të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Gjykata vlerësoi se ankesat e paraqitura janë të parakohshme dhe nuk përmbushin kriteret e pranueshmërisë, pasi mjetet juridike efektive nuk janë shteruar dhe nuk paraqitet qartazi pamja e një shkeljeje kushtetuese, siç kërkohet nga Kushtetuta dhe Ligji për DhSK-në.

Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata theksoi se ato janë formuluar në mënyrë të përgjithshme dhe pa identifikuar masa apo vendime konkrete që do të përbënin shkelje.

“Po ashtu, Dhoma konstaton se ankesa e Parashtruesit lidhur me shkeljen e të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës, për shkak të masave të autorizuara ndaj tij, është e pambështetur dhe nuk zbulon pamjen e një shkeljeje të të drejtave kushtetuese të Parashtruesit. Prandaj, edhe kjo pjesë e Referimit duhet të shpallet e papranueshme në përputhje me Rregullën 14 (f) të Rregullave të DhSK-së”, thuhet në vendim

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy