Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar opinionin publik se më 22 janar ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës, në komunat të cilat janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.
Prokuroria njofton se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokurori i Shtetit në bazë të raportimeve në komunën e Ferizajit u përfshinë 153 vendvotime, ku keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët, konkretisht prej 153 vendvotimeve- vetëm një (1) kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash, ndërsa, për kandidatët e tjetër rezulton nga një (1) deri në tre (3) vota.
Derisa, në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Tek komuna e Shtimes, janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimeve dhe ka rezultuar me një përqindje pak më të lartë, ku rezulton një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë prej dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota.
Në lidhje me këto manpulime, është autorizuar Policia e Kosovës që të intervistohen kryesuesit e qendrave të numërimit për komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.
Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.

