Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe sulmeve që pasuan vendimet e fundit brenda partisë, duke i cilësuar ato si shprehje të mosdurimit ndaj vullnetit të lirë të anëtarësisë.
Në reagimin e tij, Abdixhiku thekson se sulmet nuk janë të drejtuara vetëm ndaj tij personalisht, por edhe ndaj LDK-së si parti, familjes Rugova, veprimtarëve të saj dhe brezave të rinj e të vjetër që kontribuojnë në këtë subjekt politik. Sipas tij, kjo klimë negative shfaqet sa herë që prapaskenat humbin ndikimin dhe anëtarësia vendos me qetësi dhe dinjitet.
Ai vlerëson se vendimi i lirë i anëtarësisë është i vështirë për t’u pranuar nga ata që, sipas tij, janë mësuar ta injorojnë apo ta shtypin zërin e saj, duke zgjedhur përbaltjen dhe hapjen e krizave në vend të maturisë dhe këshillës konstruktive.
Abdixhiku e cilëson Kuvendin e fundit të LDK-së jo vetëm si një proces demokratik, por si një ndarje të qartë mes një të kaluare të bazuar në kontroll pa parime dhe një etape të re që synon rimëkëmbje, përgjegjësi dhe respektim të vullnetit të lirë. Ai thekson se prej asaj dite, LDK-ja po ecën përpara me besimin e anëtarësisë dhe se ky proces, sipas tij, nuk mund të ndalet.
Në reagimin e tij, kreu i LDK-së nënvizon se rrugët e kthimit prapa nuk janë më opsion dhe se fundi i roleve politike nuk nënkupton fundin e dinjitetit apo njerëzores. Ai shprehet i vendosur se LDK-ja do të bashkohet, por jo në dëm të parimeve dhe jo me ata që refuzojnë të pranojnë vullnetin e anëtarësisë.
“Kemi punë më të mençura për të bërë”, përfundon Abdixhiku, duke lënë të kuptohet se fokusi i tij dhe i LDK-së do të jetë në të ardhmen dhe jo në përplasjet e brendshme.

