Me gjobë prej 30 eurosh po ndëshkohen qytetarët që parkojnë në hapësirat e “Prishtina Parking” pa e kryer pagesën prej 1 euro ose 50 centësh për një orë. Disa qytetarë po ankohen se janë gjobitur edhe kur kanë parkuar jashtë hapësirave të kësaj ndërmarrjeje.
Megjithatë, konfuzioni më i madh i qytetarëve lidhet me pyetjen nëse duhet apo jo të paguajnë gjobat që po u shqiptohen për parkim.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme të vitit të kaluar, e cila shfuqizoi disa paragrafë të rregullores së “Prishtina Parking”, duke ia hequr të drejtën për vendosjen e bllokadave në rrota, vendosjen e laurave dhe shqiptimin e gjobave nga vetë punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, “Prishtina Parking”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, doli me një rregullore të përmirësuar.
Me këto ndryshime, Komuna e Prishtinës rinisi zbatimin e rregullave të reja, duke ia dhënë të drejtën për shqiptimin e gjobave Inspektoratit të Kryeqytetit. Nga Inspektorati është thënë më herët se, në rast të mos-pagesës, gjobat do të dërgohen te përmbaruesi.
Megjithatë, rregullorja e përmirësuar, para se të hynte në fuqi, do të duhej të miratohej në Kuvendin Komunal, gjë që nuk ka ndodhur.
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nora Kelmendi, ka deklaruar se kjo rregullore nuk është e ligjshme pa kaluar në Kuvendin Komunal dhe, rrjedhimisht, as gjobat që dalin nga ajo.
Ajo ka shtuar se u këshillon miqve dhe familjarëve të mos i paguajnë gjobat që u shqiptohen për parkim nga “Prishtina Parking”.
Nga Inspektorati i Kryeqytetit është kërkuar informacion lidhur me numrin e gjobave të shqiptuara deri më tani, nëse qytetarët që nuk i paguajnë gjobat po dërgohen te përmbaruesi, si dhe se ku destinohen mjetet e mbledhura nga pagesat, por kjo drejtori nuk ka kthyer përgjigje.
Përgjigje për Kohën nuk kanë dhënë as nga “Prishtina Parking” lidhur me dilemat e qytetarëve.

