Suedia shkëlqeu në garën e parë të skive të gjata në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina, duke siguruar dy vendet e para në skiathlonin e femrave. Frida Karlsson fitoi medaljen e artë, ndërsa bashkëkombësja e saj Ebba Andersson mori argjendin.
Karlsson dominoi segmentin e lirë të garës, duke u shkëputur ndjeshëm nga rivalet dhe duke kaluar vijën e finishit 51 sekonda përpara Andersson. Me qetësi, ajo mori flamurin suedez dhe përshëndeti publikun para se të kurorëzohej kampione.
“Ky ishte momenti kur e kuptova se ishte e vërtetë. U kënaqa jashtëzakonisht dhe jam krenare për ekipin tim. Skitë ishin perfekte dhe trupi ndjehej i mrekullueshëm,” tha Karlsson pas garës.
Medaljen e bronztë e siguroi norvegjezja Heidi Weng, e cila mbërriti një minutë e 27 sekonda pas fitueses. Ajo pranoi se pati vështirësi në pjesën klasike, por gjeti forcë në segmentin e lirë: “Në skating ndjeva shumë energji, ishte një ndjesi fantastike.”
Ky sukses shënon medaljen e parë individuale për Karlsson, 26 vjeçe, e cila më parë kishte fituar bronz në stafetën e femrave në Pekin 2022

