Vendimi i të premtes në mbrëmje i Gjykatës Kushtetuese pritet të shkaktojë një spirale zhvillimesh të vrullshme brenda mazhorancës dhe qeverisë. Pasoja e parë e tij është lënia në fuqi e masës së parë të Gjykatës së Posaçme pezullimin e Belinda Ballukut nga të gjitha funksionet në ekzekutiv si ministër dhe zëvendëskryeministër.
Të ndarë 4 me 4, gjyqtarët haptazi dështuan t’i japin zgjidhje përplasjes së kompetencave mes qeverisë dhe gjyqësorit. Në njërin kamp, gjyqtarët që votuna pro kërkesës së Kreyministrit Rama Sonila Bejtja, Fjona Papajorgji, Sandër Beci, Marjana Semini arsyetuan se masa e pezullimit nuk mund të ndërmerret pa lejen e Parlamentit, pasi cenon stabilitetin e qeverisë:
“Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit… Masa e pezullimit, për nga shkalla dhe intensiteti i saj, prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj, në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.”
Ndërkohë, pjesa tjetër e gjyqtarëve që ishin kundër kërkesës së Ramës, Ilir Toska, Asim Vokshi, Marsida Xhefarrllari, Gent Ibrahimi argumentoi se imuniteti nuk mund të shtrihet përtej asaj që shkruhet shprehimisht në Kushtetutë:
“Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit vetëm për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra. ”
Pasojat e këtij mos-vendimi kthejnë në fuqi pezullimin nga detyra të numrit dy të Qeverisë, Belinda Ballukut, për fatin e të cilës tashmë do të duhet të vendosin shefi i saj në Qeveri dhe kolegët në Parlament.
Në këtë prizëm, në rastin e pezullimit nga funksionet ekzekutive, Edi Rama në pamje të parë duket se nuk ka shumë mundësi zgjedhjeve.
Ndërkohë që pas pezullimit, SPAK ka shkuar në Kuvend edhe me një kërkesë për imunitetin, për të cilën duhet të shprehet këtë javë Këshilli i Mandateve, i shtyrë pa afat nga mazhoranca me argumentimin e pritjes së vendimit të Kushtetueses.
Dhe duke qenë se Kushtetuesja vendosi të rrëzojë me mosvendim padinë e qeverisë pa gjykuar thelbin e saj, debati në Këshill pritet të jetë interesant dhe i ashpër në aspektin politik, me socialistët nga njëra anë dhe opozitën nga ana tjetër që kërkon prej javësh heqjen e imunitetit.
Reagimet e vetme që erdhën të premten në orët e vona të natës ishin ato të demokratëve me kërkesë urgjentë që të hënën të mblidhet Këshilli i mandateve për heqjen e imunitetit.
Mos-vendimi i trupës kushtetuese, ishte një shans i humbur, pasi la pa përgjigje një pyetje për të cilën ka shumë dilema dhe mund të kthehet në precedent: A mundet pushteti i drejtësisë të ndërhyjë tek ekzekutivi duke larguar de facto ministrat nga kabineti qeveritar? (A2 Televizion)

