Ekspertët: Kërkesa e Prokurorisë në Hagë, absurde edhe joligjore

by Nexhat

Njohësit e drejtësisë dhe avokatët vlerësojnë se kërkesa e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për dënime deri në 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës, shkel parimet dhe është jashtë praktikës gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare.

Artan Qerkini, avokat dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare, në emisionin RTK Prime në RTK tha se deklarata e kryeprokurores se të akuzuarit nuk kanë qenë në Kosovë gjatë luftës dhe po i quajnë krime prej largësisë, kontraston me liderët botërorë që kanë qenë prezentë në çdo fazë të luftës dhe paqes, si James Rubin dhe Wesley Clark.

banner

“Kërkesa është absurde, por është edhe joligjore. Roli i prokurorisë është ndjekja penale, prokuroria e ka obligim gjykatës t’ia paraqesë edhe provat që mund të jenë në favor të kryerësve, siç pretendon, të veprave penale, ndërsa çfarë bëri prokuroria: kërkoi një dënim në kundërshtim me qëndrimin juridik të Dhomave të Specializuara”, tha Qerkini.

Sipas tij, kjo është një mbjellje e frikës dhe e terrorit, për të frikësuar të pandehurit, familjarët dhe opinionin.

“Kjo kërkesë është lehtësisht e rrëzueshme, nuk do pesë minuta që të hysh në faqen e gjykatës e të gjesh vendimin e Gjykatës Supreme, në të cilin kjo gjykatë mban qëndrimin se dënimi maksimal është 25 vjet dhe është në kundërshtim me kërkesën e Dhomave të Specializuara”, shtoi ai.

Kurse, Ramë Buja, ish-komandant i UÇK-së, kritikoi qasjen e Prokurorisë, duke theksuar dimensionin politik të akuzave thotë se kjo kërkesë ka për synim ti frikësoi ish krerët e UÇK-së.

“Kjo është më shumë një dozë e frikësimit, që në fakt e kanë gabuar adresën, sepse ata burra që janë atje, bash për pesë palë arsye, janë dhënë për atë se ata kanë vdekur jo vetëm njëherë gjatë luftës, por është e skajshme dhe banale se çfarë thuhet nga kryeprokurorja”, thotë Buja.

Ai shtoi se për të është shqetësuese se kjo kërkesë nuk ka asgjë juridike por është politike.

“Mua më ka shqetësuar ajo gjëja se s’ka asgjë juridike, por është politike, prej fillimit gjer më sot. “Ajo që më shqetëson është se, nëse këta burra janë dënuar për krime lufte, do të dënohet edhe Amerika, edhe NATO, do të dënohen të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar dhe na çliruan”, tha Buja.

Kurse publicisti Muhamet Mavraj ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk ka bazë juridike për të ndërtuar zinxhirin komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke argumentuar se komandantët e zonave janë liruar më herët si të pafajshëm nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).

Sipas tij, pretendimet për rreth 500 kampe dhe rreth njëqind të vrarë janë shifra të fryra për qëllime propagandistike dhe tashmë janë trajtuar në raste të mëparshme gjyqësore, përfshirë rastet Limaj dhe Haradinaj, të cilët janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat ndërkombëtare.

Mavraj thekson se mungesa e nivelit të komandantëve të zonave e bën të pamundur ndërtimin e një hierarkie komanduese në nivelin e Shtabit të Përgjithshëm, duke e cilësuar këtë si dështim thelbësor juridik të Gjykatës Speciale.

Ai kritikon ashpër themelimin e kësaj gjykate, duke thënë se udhëheqësit politikë të Kosovës kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe kanë vendosur shtetin në një pozitë të dëmshme ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e marrëdhënieve me Perëndimin dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Njerëzit që po mbahen për krime kundër njerëzimit janë vetë viktima të një trajtimi çnjerëzor. Ndëshkimi ndaj krerëve të lirisë së Kosovës po bëhet përmes paraburgimit”, ka deklaruar Mavraj.

Edhe ,përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka kritikuar ashpër deklaratat e kryeprokurores së Gjykatës Speciale, duke thënë se nga fjalët e saj vërehet qartë se shqetësimi kryesor nuk është zbatimi i ligjit, por diktimi dhe demonstrimi i pushtetit.

“Po ta dëgjoni me vëmendje se çfarë thotë kryeprokurorja, shihet se sikleti i saj nuk është juridik, por lidhet me shfaqjen e një autoriteti dhe pushteti, më shumë sesa me drejtësinë”, ka deklaruar Tasholli.

Ai e ka quajtur absurd faktin që, sipas tij, kryeprokurorja ka cilësuar si të painformuar zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë figura kyçe në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është absurditeti i parë i asaj që u deklarua sot.

Mandej vjen përmbysja e besë se Trendafilovës, ku thuhet se nuk kemi të bëjmë me gjykim kolektiv, por individual. “Ndërkohë flitet për dënime deri në 45 vjet për katër persona, të cilët, sipas aktakuzës, kanë vepruar së bashku. Kjo është një çoroditje logjike para se të jetë juridike”, ka shtuar ai.

Tasholli ka theksuar se një problem tjetër thelbësor i Gjykatës Speciale është asimetria dhe raporti i zhdrejtë që ajo, sipas tij, ka ndaj palëve në konflikt. “Ekziston një pabarazi e thellë në trajtimin e agresorit dhe viktimës, gjë që e dëmton rëndë besueshmërinë e kësaj gjykate”, ka thënë Tasholli.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy