Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen dhe udhëheqësja e opozitës në Venezuelë, Maria Corina Machado, tha të hënën se burra të armatosur “rrëmbyen” një aleat të ngushtë menjëherë pas lirimit të tij nga autoritetet, pas kapjes së ish-liderit Nicolas Maduro.
Zyra e Prokurorit Publik të vendit konfirmoi më vonë po atë ditë se ish-nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Juan Pablo Guanipa, 61 vjeç, u mor përsëri në paraburgim dhe u vu në arrest shtëpiak, duke argumentuar se ai kishte shkelur kushtet e lirimit të tij.
Guanipa do të vihet në arrest shtëpiak “me qëllim mbrojtjen e procesit penal”, tha zyra në një deklaratë të hënën. Kushtet e lirimit të Guanipës ende nuk janë bërë publike.
Machado ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Guanipas në një postim në X.
Guanipa u lirua të dielën pas më shumë se tetë muajsh burg, së bashku me disa anëtarë të shquar të opozitës.
“Jam i bindur se vendi ynë ka ndryshuar plotësisht. Jam i bindur se tani është detyrë e të gjithëve ne të përqendrohemi në ndërtimin e një vendi të lirë dhe demokratik”, tha ai disa orë pas lirimit të tij.
Menjëherë pas kësaj, djali i Guanipas, Ramón Guanipa, raportoi se politikani i sapoliruar ishte “kapur dhe rrëmbyer” nga “një grup prej afërsisht 10 personash të paidentifikuar” në disa automjete në zonën Los Chorros, në lindje të kryeqytetit.
«Ne kërkojmë menjëherë prova të jetës së tij dhe lirimin e tij», shkroi Ramón Guanipa në X.

