Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj personave fizikë B.D. dhe L.Z., si dhe ndaj personit juridik “L.P.” SH.P.K., nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”. Sipas Prokurorisë, veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm financiar në vlerë prej rreth 36 mijë euro.
B.D. akuzohet në cilësinë e menaxherit të kontratës në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa L.Z. në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “L.P.” SH.P.K. Aktakuza lidhet me kontratën për renovimin e objektit të ministrisë, ku, sipas dyshimeve, janë paraqitur punime si të përfunduara plotësisht, ndonëse ato ishin realizuar vetëm pjesërisht.
“Sipas aktakuzës, B.D., gjatë periudhës 19 gusht 2024 – 31 dhjetor 2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizimin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit në kuadër të kontratës ‘Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, të raportuar nga “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkohë, L.Z. akuzohet se, gjatë ekzekutimit të kontratës, ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, edhe pse ato ishin kryer vetëm pjesërisht. Si pasojë e këtyre veprimeve, Prokuroria pretendon se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar për rreth 36 mijë euro.
PSRK i ka propozuar Gjykatës që, përveç dënimeve kryesore, ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese, përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, si dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

