Prokurori i Specializuar në Hagë, Matthew Howling, ka vazhduar sot me fjalët përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas përmbylljes së deklarimeve për Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, Howling ka përfunduar deklarimin edhe për Rexhep Selimin.
Gjatë fjalës së tij, prokurori theksoi se Rexhep Selimi kishte rol të rëndësishëm në strukturat drejtuese të UÇK-së, duke përmendur përfshirjen e tij në zhvillime kyçe organizative dhe operacionale. Sipas Howling, Selimi kishte dorë edhe në heqjen nga pozita e komandantit të Ekrem Rexhës.
“Selimi u caktua përgjegjës për goditjen e koordinuar më të madhe që UÇK-ja kishte ndërmarrë deri në atë pikë”, deklaroi prokurori, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm në veprimtarinë e organizatës.
Howling po ashtu nënvizoi se Rexhep Selimi ishte personi i parë që kishte folur në paraqitjen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997, duke e paraqitur këtë fakt si dëshmi të rolit të tij të hershëm dhe të dukshëm në UÇK.
Me përmbylljen e deklarimit për Selimin, Prokuroria ka mbyllur fjalët përmbyllëse për të tre të akuzuarit kryesorë në këtë proces gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

