PDK paralajmëron rezolutë për procesin në Hagë në seancën e parë pas konstituimit të Kuvendit

by engel

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se partia e saj do të kërkojë që në seancën e parë të Kuvendit pas konstituimit të miratohet një rezolutë lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Deklaratën ajo e dha para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një moment me peshë historike.

banner

“Ka momente kur politika hesht dhe historia flet. Ky ka qenë një nga ato momente. Dua t’ju njoftoj që në seancën e parë të Kuvendit, së bashku me marrëveshjet ndërkombëtare, ne do të kërkojmë që të miratohet edhe rezoluta e përgatitur nga ekspertët e pavarur për procesin në Hagë”, tha Çitaku.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, prezantoi përmbajtjen e rezolutës, duke theksuar se qëllimi i saj është kthimi i procesit gjyqësor në binarë të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Sipas tij, rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Rezoluta në vend të parë kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ta kthejnë në binarë të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, deklaroi Gruda.

Ai shtoi se dokumenti kërkon gjithashtu që Ombudspersoni pranë Dhomave të Specializuara të ushtrojë në mënyrë aktive mandatin e tij për të adresuar çdo shkelje të mundshme gjatë procesit gjyqësor.

Një tjetër pikë e rezolutës, sipas Grudës, ka të bëjë me vendet financuese të Gjykatës Speciale, nga të cilat kërkohet të sigurohen se fondet e tyre mbështesin një proces që respekton standardet evropiane për gjykim të drejtë, si dhe të kërkojnë llogaridhënie nga Dhomat e Specializuara.

Po ashtu, rezoluta inkurajon organizatat ndërkombëtare që operojnë në nivel të Bashkimit Evropian dhe më gjerë që të monitorojnë në mënyrë aktive procesin gjyqësor në Hagë.

Në fund, Gruda theksoi se dokumenti konfirmon zotimin e institucioneve të Kosovës për të mbështetur, përfshirë edhe financiarisht, mbrojtjen e asaj që ai e quajti “luftë e drejtë dhe çlirimtare” të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Rezoluta pritet të procedohet për shqyrtim në seancën e parë pas konstituimit të plotë të Kuvendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy