Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca është duke e ndjekur nga afër situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se pret llogaridhënie nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për sulmin e vitit 2023 në Banjskë dhe ngjarjet e tjera të po atij viti.
Para takimit me ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, Rutte iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me zhvillimet në rajon, duke bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqjen serbe.
“Unë, por edhe aleanca, jemi në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Jemi duke pritur për llogaridhënie për atë që ka ndodhur në Banjskë në vitin 2023 dhe për ngjarjet e tjera më 2023. Ndjekim nga afër ngjarjet dhe përmes KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, si në Bosnjë dhe Kosovë, ne jemi shumë të përfshirë dhe i ndjekim gjërat nga afër”, ka thënë Rutte.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë rast është ngritur aktakuzë ndaj rreth 40 personave, të cilët ndodhen në Serbi, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se, përmes përdorimit të armatimit të rëndë dhe dhunës, kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë. Si pasojë e sulmit, përveç Bunjakut, u vranë edhe tre sulmues serbë, ndërsa të tjerët u larguan në drejtim të Serbisë, pasi qëndruan për disa orë të strehuar në Manastirin e Banjskës.
Milan Radoiçiq ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit, ndërsa autoritetet serbe deri më tani nuk kanë dhënë shenja për dorëzimin e të akuzuarve.
Rutte përmendi gjithashtu edhe trazirat e majit 2023 në veri të Kosovës, kur serbët lokalë protestuan kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke u përplasur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga dhuna e ushtruar atëherë mbetën të lënduar ushtarë të misionit paqeruajtës dhe gazetarë.

