Deputeti Veton Berisha ka deklaruar se pret të jetë pjesë e kabinetit qeveritar në Qeverinë Kurti 3, ndonëse tha se ende nuk kanë diskutuar detaje konkrete rreth angazhimit të tij.
Para nisjes së seancës, Berisha u shpreh se prioritet mbetet funksionalizimi i institucioneve dhe nisja sa më e shpejtë e punës së tyre.
“Edhe herën e kaluar kam votuar kryetarin vazhdimisht. Vazhdoj sepse konsideroj që është obligim për mua me kry obligimin tim në Kuvend dhe sigurisht t’i shohim propozimet. Besoj që do të jem pjesë e kabinetit qeveritar, por nuk e di çka, sepse nuk e kemi diskutuar. Jam për me vazhdu institucionet e me fillu punën sa më parë”, tha Berisha.
Ai konfirmoi se do të votojë për kryetarin e Kuvendit, ashtu siç kishte vepruar edhe në legjislaturën e kaluar, duke theksuar se përgjegjësia institucionale duhet të vihet mbi interesat tjera politike.

