Avokati kosovar Arianit Koci është ndaluar për rreth 20 minuta nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare, me arsyetimin e një “verifikimi shtesë”.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Koci për Klankosova, duke bërë të ditur se ndalimi zgjati më shumë se zakonisht dhe se një situatë e tillë nuk i kishte ndodhur më parë.
“Është hera e parë që ma bënë një gjë të tillë. Këtë po e shoh si sinjal”, ka deklaruar ai.
Koci kishte qëndruar në Beograd në cilësinë e avokatit mbrojtës të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Mit’hat Lozhani. Një ditë më parë, nga kryeqyteti serb, ai paralajmëroi se rasti i klientit të tij po merrte një drejtim që, sipas tij, kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Ish-ushtari i UÇK-së, Mit’hat Lozhani, u arrestua të enjten, më 5 shkurt, gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë. Rrethanat dhe akuzat konkrete ndaj tij nuk janë bërë ende të ditura publikisht.
Ndalimi i shkurtër i avokatit Koci në kufi vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos lidhur me rastet e arrestimeve të shtetasve kosovarë në territorin serb.

