Policia e Shqipërisë ka bërë publike të dhëna shqetësuese në përmbyllje të Javës së Internetit të Sigurt, duke theksuar rritjen e rasteve të raportuara për materiale me shfrytëzim seksual të të miturve në internet. Vetëm gjatë muajit janar 2026 janë administruar 655 raporte të referuara nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC), një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja mujore e vitit të kaluar.
Gjatë vitit 2025, Policia e Shtetit ka marrë në total 5 707 raporte nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar, që përkthehet në rreth 475 raste në muaj. Sipas Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, materialet identifikohen përmes teknologjive të specializuara dhe të dhënat e personave që i posedojnë apo i shpërndajnë u referohen autoriteteve shqiptare për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Në vitin 2025 u regjistruan 387 vepra penale për “Pornografi me të Mitur”, prej të cilave 290 janë zbuluar, ndërsa krahasuar me vitin 2024 ka një rritje prej 240 rastesh. Policia apelon që prindërit të monitorojnë aktivitetin online të fëmijëve, të komunikojnë hapur me ta për rreziqet e internetit dhe të përdorin masa sigurie në pajisjet elektronike, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është përgjegjësi e përbashkët

