Komuna e Prishtina ka reaguar sërish ndaj ekzekutivit, duke e akuzuar për mos-përfshirjen e buxhetit të kryeqytetit në projektbuxhetin për vitin 2026, të propozuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka deklaruar se Qeveria po ndjek të njëjtën qasje si në vitet paraprake, duke bllokuar buxhetin për kryeqytetin.
“Buxheti i Prishtinës sërish jashtë – bllokada vazhdon! Buxheti i Prishtinës edhe një herë nuk përfshihet. Prap Hekurani, leifengu politik i Albinit, prap e njëjta skemë: bllokadë pa asnjë arsye ligjore, por me një qëllim të qartë – ndëshkimin e Kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo nuk është thjesht një vonesë administrative e procedurale. Është një qasje e pastër politike që synon bllokimin e punës dhe projekteve zhvillimore të Kryeqytetit, si dhe pengimin e kryetarit Përparim Rama – puna dhe rezultatet e të cilit duket se kanë krijuar më shumë se bezdi në qeveri”, ka shkruar Dushi në një reagim në Facebook.
Dushi, ish-drejtor i Inspekcionit në komunë, ka paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar projektbuxhetin e propozuar nga Qeveria.
Sipas tij, Prishtina dhe qytetarët e saj meritojnë zhvillim dhe jo, siç u shpreh ai, “bllokada e pengesa” të motivuara politikisht.
“Hekurani duhet ta ketë të qartë se Kryeqyteti nuk dorëzohet – është plotësisht i gatshëm t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore, jo vetëm për të marrë atë që i takon, por edhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj secilit që, në abuzim flagrant me pushtetin, synon ta mbajë peng Prishtinën. Prishtina nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime të tilla. Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë zhvillim, jo bllokada e pengesa”, ka theksuar ai.

