Dialogu Kosovë–Serbi në pikë kritike, “sfidat” e qeverisë së re

by informim peje

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një nga sfidat kryesore për institucionet e reja qeverisëse, me pritje për intensifikim të presionit ndërkombëtar për reforma dhe avancim të procesit, vlerësojnë njohës të zhvillimeve gjeopolitike.

Sipas tyre, zhvillimet e brendshme politike në Serbi, si dhe prioritetet globale të partnerëve ndërkombëtarë, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin dhe përmbajtjen e dialogut, ndërsa qeverinë e re të Kosovës e presin sfida të mëdha në këtë drejtim.

banner

Profesori universitar i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se deri më tani ka qenë e vështirë të ketë progres në dialog, jo vetëm për shkak të faktorëve në Kosovë, por edhe për shkak të situatës së paqëndrueshme politike në Serbi, përfshirë protestat dhe tensionet e brendshme.

“Po, në situatën në të cilën kemi qenë, fatkeqësisht ka qenë e pamundshme që të bëhet diçka me dialog. Por kësaj radhe mendoj që nuk ka qenë faji vetëm i Kosovës, sepse edhe në Serbi kemi një situatë politike shumë jostabile. Atje ka protesta masive tash më shumë se një vit dhe si rezultat i kësaj mendoj që edhe institucionet në Republikën e Serbisë nuk kanë qenë në gjendje të jenë pjesë e takimeve substanciale me partnerët nga Kosova. Sigurisht që kjo e pengon procesin, por jo vetëm për fajin e Kosovës”, tha ai.

Ai theksoi se dialogu do të mbetet një nga sfidat kryesore për qeverinë e re.

“Çështja e dialogut me Serbinë do të jetë njëra prej sfidave që e presin qeverinë e re, por kjo varet shumë edhe nga zhvillimet në Serbi. Sipas informatave që kam, atje do të ketë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale kah fundi i vitit dhe nuk besoj që deri atëherë institucionet serbe do të lëshohen në debate të thella me partnerët nga Kosova”, shtoi Muja.

Eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli, tha se gjatë muajve të pranverës mund të ketë tentativa për takim të nivelit të lartë ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, sipas tij, rezultatet mbeten të pasigurta për shkak të sfidave të mëdha që e presin qeverinë e Kosovës dhe fragmentimit politik në Serbi.

Ai përmendi sinjalet e para nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, si dhe deklaratat e fundit të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, të cilat kanë kërkuar fokus në reforma dhe në dialogun Kosovë–Serbi.

Bilalli vlerëson se zgjedhjet në Serbi mund të ndikojnë në ritmin e takimeve dhe madje të përdoren si taktikë për shtyrje të procesit.

“Rajoni ka hyrë në një fazë jashtëzakonisht dilematike sa i përket mundësisë për takime të shpejta dhe rezultate konkrete. Unë kam dyshime për rezultate të afërta. Evropa aktualisht përballet me sfida të mëdha, si lufta në Ukrainë dhe problemet e brendshme të shteteve anëtare”, tha ai.

Sipas Bilallit, në pranverë mund të ketë edhe një tentativë amerikane për shtyrjen përpara të procesit përmes një dokumenti të ri, i cili mund të ngjasojë me modele të përdorura në kriza të tjera ndërkombëtare./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy