Deputeti kanadez Kyle Seeback ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës gjatë një fjalimi në Parlamentin e Kanadasë, duke theksuar lidhjen personale dhe atë historike të vendit të tij me shtetin e ri.
Seeback kujtoi se Kanadaja ishte ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe shprehu krenarinë e tij për këtë vendim.
“Javën tjetër Kosova do të festojë 18-vjetorin e Pavarësisë. Jam i lumtur si kanadez që ishim ndër shtetet e para që e kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Gruaja ime është nga Kosova dhe ne kalojmë kohë atje në pushime. Kosovarët janë krenarë me vendin e tyre. Nëse jeni në Kosovë, duhet ta shijoni makiaton më të mirë që e kam pirë në jetën time, në Rahovec”, tha Seeback, transmeton Klankosova.tv.
Ai gjithashtu bëri të ditur se djali i tij mban emrin e dytë Kastriot, një homazh për historinë dhe kulturën shqiptare.
Në përmbyllje të fjalimit, deputeti Seeback uroi në gjuhën shqipe: “Urime Dita e Pavarësisë”.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ndërsa Kanadaja ishte një nga vendet e para që e njohu shtetin e ri, duke konsoliduar kështu lidhjet historike dhe diplomatike midis dy vendeve.

