Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka komentuar ankesat e Serbisë për marrëveshjen ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar mbështetjen e aleatëve të NATO-s për stabilitetin rajonal.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, Shekerinska u shpreh se Kroacia dhe Shqipëria janë aleatë të besueshëm dhe kontribuues të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleatë të besueshëm dhe të vlefshëm brenda Aleancës. Ato janë gjithashtu kontribuese të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato janë të pranishme në KFOR, por janë shumë të përqendruara në mbështetjen e kësaj axhende në rajon”, tha Shekerinska.
Zyrtarja e NATO-s theksoi gjithashtu se Aleanca nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në diskutimet mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, dhe se statusi i një shteti si anëtar i NATO-s nuk pengon bashkëpunime mbrojtëse me palë të treta.
“Ajo që shohim është se situata gjeopolitike globale ka ndikuar edhe në rajon. Shikojmë më shumë ushtrime, më shumë investime në mbrojtje dhe siguri, por gjithmonë u bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve të angazhohen në dialogun politik dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura në rajon. Prania jonë në Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë këtë dialog politik”, shtoi Shekerinska.
Ditë më parë, Beogradi zyrtar reagoi për marrëveshjen, duke e konsideruar atë një zhvillim të mundshëm kërcënues për interesat e Serbisë.

