Teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri po afrohet, as pozita dhe as opozita nuk kanë prezantuar deri më tani ndonjë kandidat zyrtar për këtë post. Subjektet politike nuk kanë bërë publike as preferencat e tyre, ndërsa diskutimet formale për këtë çështje ende nuk kanë nisur.
Në mungesë të qëndrimeve zyrtare partiake, disa deputetë kanë shprehur opinione individuale. Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka ripërsëritur qëndrimin se posti i presidentit duhet t’i takojë partisë së tij.
“E ripërsëris: Presidenti duhet t’i takojë PDK-së”, ka shkruar Haliti në Facebook, pa përmendur ndonjë emër konkret.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur më herët edhe deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku. Në emisionin “Pressing”, ai ka deklaruar se nëse hapen bisedimet për presidentin, LDK-ja do të paraqesë propozimin e vet.
“Nëse ka bisedime, ne vijmë me propozimin tonë për president. Çdo negociatë politike ka zgjidhje nëse ka pozitivistët. Këtë prej fillimit e ka thënë LDK”, ka thënë Sadiku.
Ndërkohë, lideri i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk është kandidat për president. Ai ka bërë të ditur se AAK-ja do të vazhdojë konsultat e brendshme për të përcaktuar qëndrimin e saj.
“Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse në një rrethanë të caktuar parlamenti dhe deputetët do të ma kërkonin, do ta shqyrtoja, por nuk jam kandidat. Presidenca është institucion i rëndësishëm i vendit dhe ne do t’i vazhdojmë konsultat e brendshme në Aleancë për të marrë një qëndrim si do të veprojmë”, ka thënë Haradinaj.
As partia në pushtet nuk ka shpallur një kandidat të preferuar. Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje (VV), Enver Dugolli, ka deklaruar se ende nuk ka një kandidaturë definitive që kjo parti do ta përkrahë.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Dugolli ka theksuar se VV-ja nuk dëshiron të japë sinjal se po imponon një emër të caktuar.
“Nuk ka ende një kandidaturë definitive që do ta përkrahim, për shkak se nuk po dëshirojmë që partitë opozitare ta marrin si sinjal që po dëshirojmë ta imponojmë dikë. Synojmë që ta arrijmë një konsensus me mirëkuptim për të mos e dërguar vendin në zgjedhje të reja. Mund të ketë emër tjetër, përveç Vjosa Osmani. Nuk mund të paragjykojmë. I kemi vetëm 66 vota, nuk i kemi mbi 80 që t’ia sigurojmë Vjosa Osmanit. Na mbetet të gjithëve që t’ia sigurojmë”, ka deklaruar ai.
Procesi i zgjedhjes së presidentit kërkon konsensus më të gjerë parlamentar, ndërsa mbetet të shihet nëse subjektet politike do të arrijnë marrëveshje për një emër të përbashkët në javët në vijim.

