Rreth 50 udhëheqës globalë janë mbledhur në Mynih për edicionin e sivjetmë të Konferenca e Sigurisë në Mynih, një samit treditor që zhvillohet në një klimë të tensionuar në marrëdhëniet transatlantike.
Konferenca, e cila nisi dje dhe do të zgjasë deri të dielën, po mbahet në një sfond mosmarrëveshjesh mbi rolin e NATO-s dhe deklaratave të përsëritura të ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me aneksimin e Grenlandës.
Në fjalën hapëse të së premtes, kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Uashingtonit për rikthimin e besimit mes aleatëve. “Le ta riparojmë dhe ringjallim besimin transatlantik së bashku”, u shpreh ai.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se Europa duhet të përgatitet për më shumë pavarësi strategjike nga Shtetet e Bashkuara, raportoi BBC, transmeton Gazeta Express.
Pas një jave të trazuar në politikën e brendshme, kryeministri britanik Keir Starmer pritet të zhvillojë takime me Merz dhe Macron në Mynih, përpara se të mbajë fjalimin e tij në samit të shtunën në mëngjes.
Në agjendën e diskutimeve janë gjithashtu tensionet me Kinën dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën, në prag të raundit të ardhshëm të bisedimeve trepalëshe që pritet të zhvillohen javën e ardhshme.

