Pas polemikave të shumta që pasuan sfidën mes Inter Milan dhe Juventus, arbitri Federico La Penna rrezikon një pezullim deri në një muaj, për shkak të vendimeve të kontestuara në “Derbin e Italisë”.
Deklaratat e një dite më pas nga Gianluca Rocchi, përgjegjës për dizenjimin e arbitrave në elitën italiane, lanë të kuptohet se linja ndaj gjyqtarit do të jetë e ashpër. Në veçanti, në qendër të kritikave ishte ndëshkimi me karton të kuq i Kalulu, një vendim që është cilësuar si “qartësisht i gabuar”.
Sipas zërave pranë Associazione Italiana Arbitri (AIA), La Penna pritet të pezullohet për rreth një muaj, në mënyrë që të reflektojë dhe të rikthejë qetësinë pas presionit të madh mediatik dhe sportiv. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e një rikthimi më të shpejtë, si masë emergjente për të kaluar situatën e tensionuar.
Situata ka marrë përmasa shqetësuese edhe jashtë fushës së lojës. Arbitri ka paraqitur një denoncim pranë Policisë Postale për kërcënime serioze të marra në rrjetet sociale, përfshirë mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj bashkëshortes dhe dy vajzave të tij të mitura, me shprehje si “do të vras” dhe “e dimë ku banon”.
La Penna, i cili është avokat me profesion, ka ndërmarrë hapat ligjorë përkatës për trajtimin e këtyre rasteve, ndërsa pritet që autoritetet të hetojnë dhe identifikojnë autorët e kërcënimeve.

