Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federata Shqiptare e Futbollit ka rikonfirmuar sot Armando Duken në postin e presidentit, duke i besuar atij një mandat të ri katërvjeçar.
Vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, çka u cilësua si shprehje e mbështetjes së plotë dhe e unitetit brenda komunitetit të futbollit shqiptar.
Procesi zgjedhor u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e Dukës në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ e institucional.
Mandati i ri konfirmon vazhdimësinë në drejtimin e federatës dhe angazhimin për zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e talenteve të rinj dhe rritjen e standardeve të futbollit shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Armando Duka mban postin e presidentit të FSHF-së që nga viti 2002, duke e bërë këtë mandatin e tij të shtatë në krye të institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri.

