Donald Trump letër Vjosa Osmanit për 18-vjetorin e Pavarësisë: Mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

by engel

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, në një letër drejtuar presidentes Vjosa Osmani.

Në mesazhin e tij, Trump ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së bashkëpunimit në tregti dhe investime, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët.

banner

“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”, thuhet në letër.

Presidenti amerikan ka përgëzuar gjithashtu Kosovën për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, nismë e iniciuar nga SHBA-ja për adresimin e konflikteve globale, si dhe për mbështetjen në përpjekjet për zgjidhjen e krizave në Ukrainë, Gazë dhe rajone të tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë ndihmë për Kosovën që nga viti 1998, duke qenë ndër mbështetëset kryesore të shtetndërtimit dhe zhvillimit institucional të vendit. Udhëheqësit kosovarë e kanë cilësuar vazhdimisht SHBA-në si partnerin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës.

Megjithatë, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur edhe momente tensioni, veçanërisht gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë lidhur me çështje që preknin komunitetin serb, të cilat zyrtarë amerikanë i patën konsideruar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Si pasojë, SHBA-ja kishte pezulluar nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën vitin e kaluar. Megjithatë, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë është bërë e ditur javët e fundit se Uashingtoni është i gatshëm të rinisë këtë proces dhe të bashkëpunojë me Qeverinë aktuale.

SHBA-ja ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Deri më tani, pavarësia e saj është njohur nga 121 shtete, ndërsa mbetet sfidë mosnjohja nga katër shtete anëtare të NATO-s dhe pesë të Bashkimit Evropian – organizata ku Kosova synon anëtarësimin në të ardhmen.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy