Deputetët e Kuvendi i Kosovës do të mblidhen sot në orën 10:00 për të shqyrtuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026, i cili parashikon një buxhet prej 4 miliardë eurosh.
Projektligji ishte paraparë të trajtohej në seancën e së premtes, por Lëvizja Vetëvendosje, si parti në pushtet, nuk arriti të sigurojë shmangien nga afatet procedurale për shqyrtimin e tij në parim.
Partitë opozitare kundërshtuan procedimin me urgjencë të projektligjit, duke kërkuar të paktën tri ditë kohë për analizimin e materialit voluminoz prej rreth 700 faqesh, i cili, sipas tyre, u është dorëzuar nga ekzekutivi vetëm gjatë ditës së premte.
Sipas përfaqësuesve të opozitës, draft-buxheti nuk pasqyron premtimet e bëra nga kryeministri Albin Kurti dhe as ndryshimet në strukturën e re të kabinetit qeveritar, i cili është zgjeruar me katër ministri shtesë.
Po ashtu, është theksuar se projeksionet buxhetore mbeten të njëjta me ato që Qeveria në detyrë i kishte proceduar në Kuvend në tetor të vitit të kaluar.
Debati i sotëm pritet të përcaktojë nëse projektligji do të kalojë në shqyrtim të mëtejmë apo do të kërkohen ndryshime dhe afate shtesë për analizë, në një kohë kur buxheti konsiderohet dokument kyç për orientimin e politikave ekonomike dhe sociale të vendit gjatë vitit të ardhshëm.

