Ka më shumë se tre vjet që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk kanë marrë nga shteti shtesat dhe kompensimet që u takojnë sipas ligjit. Bazuar në të dhënat e gjykatave të Kosovës, qindra ushtarakë kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë, duke kërkuar pagesat e papaguara.
Ligji për pagat, i miratuar tre vjet më parë, së bashku me Rregulloren e Qeverisë Nr. 08/2023, përcakton qartë të drejtën për shtesa dhe kompensime për punë në kushte të rrezikshme, natën, gjatë fundjavës dhe jashtë orarit të rregullt. Megjithatë, zbatimi i këtyre dispozitave mbetet i mangët, duke i lënë ushtarakët e FSK-së të kërkojnë drejtësi në gjykata.
Qindra padi janë parashtruar në gjykatat themelore të vendit, duke u thirrur në Ligjin për pagat në sektorin publik. Neni 26 qartëson se pjesëtarët e ekspozuar ndaj rrezikut për jetën ose shëndetin përfitojnë shtesë për kushte specifike të punës.
Vlera nuk mund të tejkalojë 1% të fondeve totale për pagat bazë të institucionit. E njëjta rregull qartësohet edhe në Rregulloren e Qeverisë së Kosovës të miratuar në vitin 2023.
Në Nenin 6 përcaktohet se shtesa për punonjësit e ekspozuar ndaj rrezikshmërisë dhe kushteve të veçanta të punës llogaritet në përqindje të pagës bazë, sipas kritereve të përcaktuara nga titullari i institucionit dhe miratuar nga ministria përgjegjëse për administratën publike dhe financat.
Legjislacioni specifikon të drejtën e ushtarakëve për tu paguar edhe për punë jashtë orarit dhe natën. Sipas Nenit 36 të Ligjit për pagat në sektorin publik, pagesa bëhet në bazë të këtyre përqindjeve: 20% për punë me kujdestari, 30% për punë gjatë natës ose jashtë orarit të rregullt dhe 50% për punë gjatë fundjavës dhe ditëve festive
E gjithë kjo mbështetet edhe në Nenin 8 të rregullores, që parashikon se punonjësit mund të zgjedhin që kompensimi të bëhet në ditë pushimi në vend të pagesës monetare.
Kronika e përgatitur nga Kiks Kosova sjell detajet:

