Gjumi është një periudhë thelbësore kur trupi pushon dhe rigjenerohet. Por a mund të shërbejë edhe si një mundësi për të djegur më shumë kalori?
Nëse po përpiqeni të humbni peshë, mund të pyesni veten si ta maksimizoni shpenzimin ditor të energjisë. Sipas hulumtimeve, disa ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës mund t’ju ndihmojnë të rrisni djegien e kalorive edhe gjatë gjumit.
Dr. Daniel Atkinson, mjek i mjekësisë familjare, shpjegon se përpjekja për të djegur më shumë kalori në pushim mund të duket e çuditshme, por trupi ynë djeg energji edhe kur jemi duke fjetur. Kjo njihet si shkalla metabolike bazale (BMR) ose shkalla metabolike në pushim (RMR). Edhe pse ka dallime të vogla mes tyre, termat shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë.
Numri i kalorive që digjni gjatë gjumit ndikohet nga faktorë si mosha, masa trupore, përbërja trupore dhe stili i jetesës. Dieta, aktiviteti fizik, sasia e gjumit dhe madje edhe ambienti ku flini luajnë rol të rëndësishëm në metabolizëm.
- Kushtojini vëmendje temperaturës së dhomës
Studimet sugjerojnë se gjumi në një dhomë më të freskët mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Temperaturat më të ulëta shpesh përmirësojnë cilësinë e gjumit dhe e bëjnë më të lehtë rënien në gjumë. Ajri i freskët gjatë natës mund të jetë gjithashtu i dobishëm për personat me probleme të frymëmarrjes, si astma, dhe mund të zvogëlojë përhapjen e infeksioneve virale.
- Sigurohuni që të flini mjaftueshëm
Gjumi i mjaftueshëm është thelbësor për rregullimin e metabolizmit. Mungesa e tij ndikon në hormonet që kontrollojnë urinë. Sipas Dr. Atkinson, pagjumësia rrit sekretimin e ghrelinës – i njohur si “hormoni i urisë” – duke shtuar dëshirën për ushqime të pashëndetshme dhe duke nxitur ngrënien impulsive.
- Shmangni vaktet e vona
Të ngrënit vonë në mbrëmje mund të dëmtojë përpjekjet për humbje peshe. Gjatë gjumit, trupi e përdor energjinë më pak efikasitet, prandaj konsumimi i vakteve të mëdha ose të pasura me kalori para gjumit mund të ndikojë në shtimin në peshë dhe në cilësinë e dobët të gjumit, pasi organizmi angazhohet në tretje gjatë natës.
- Ndërtoni masë muskulore
Rritja e masës muskulore është një nga mënyrat më efektive për të përshpejtuar metabolizmin. Trupi shpenzon më shumë energji për të ruajtur muskujt sesa yndyrën. Përfshirja e ushtrimeve të forcës në rutinën tuaj ndihmon në rritjen e djegies totale të kalorive, edhe në pushim.
- Kujdesuni për dietën
Dieta luan rol kyç në metabolizëm. Zgjidhni burime të shëndetshme proteinash dhe sigurohuni të konsumoni mjaftueshëm fibra nga fruta dhe perime të ndryshme. Kjo ju ndihmon të ndiheni të ngopur më gjatë dhe të shmangni konsumimin e panevojshëm të kalorive. Kombinimi i ushqyerjes së zgjuar me aktivitet fizik krijon deficit kalorik, që është thelbësor për humbje peshe.

