Policia e Kosovës ka hartuar një plan të veçantë operativ për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në agjendën shtetërore që përfshin aktivitete ceremoniale dhe parakalimin e Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, në disa segmente rrugore të kryeqytetit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.
Ndërprerjet pritet të nisin nga ora 07:00 në rrugët “Fehmi Agani”, “Luan Haradinaj” dhe “Kostra Novakoviq”. Po ashtu, në rrugën “Tirana” në segmentin drejt hekurudhës do të bllokohet një korsi në kthim, ndërsa në rrugën “Robert Doll” një korsi do të shfrytëzohet për parkimin e autobusëve dhe kamionëve që transportojnë personelin e PK-së dhe FSK-së.
Policia ka apeluar tek qytetarët që të shmangin qarkullimin në këto rrugë gjatë kohës së aktiviteteve dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim të evitimit të kolonave dhe lehtësimit të lëvizjes. Njësitë e trafikut do të jenë të angazhuara në terren për orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe garantimin e rendit.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët, duke i falënderuar ata për mbështetjen e vazhdueshme në organizimin e ngjarjeve me rëndësi shtetërore.

