Ka përfunduar takimi në Prishtinë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Takimi, i cili zgjati rreth një orë, u mbajt në ambientet e Qeverisë së Kosovës dhe përfundoi pa një konferencë të përbashkët për media, ndonëse pritej një adresim për gazetarët pas bisedimeve.
Rama po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë dhe u prit me ceremoni shtetërore. Para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë u shtrua tepihu i kuq, ndërsa një gardë nderi ishte rreshtuar në pritje të delegacionit shqiptar. Kryeministri shqiptar mbërriti rreth orës 15:00, ku u prit nga homologu i tij kosovar.
Detaje nga përmbajtja e takimit nuk janë bërë të ditura, ndërsa mungesa e një deklarimi publik ka lënë të hapura pyetjet mbi temat e diskutuara dhe mesazhet që pritej të përcilleshin.
Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës kanë qenë të ndërlikuara ndër vite, të shoqëruara shpesh me mospajtime dhe përplasje në distancë lidhur me çështje politike dhe qasje ndaj proceseve rajonale. Megjithatë, vizita e sotme vlerësohet si pjesë e përpjekjeve për koordinim dhe komunikim institucional mes dy qeverive.

