Kosova si fëmijë jetim i divorcit mes SHBA dhe Evropës

by Nexhat

Shkuran: Mero Baze

Një miku im gazetar në Kosovë më dërgoi sot një video që më dëshpëroi. Disa “patriotë” shqiptarë në Kosovë ndalonin makina me targa serbe dhe u ngjisnin me zor flamuj shqiptarë në xham.

banner

Festa e pavarësisë së Kosovës vjen sivjet në kulmin e një ndarjeje mes SHBA dhe Evropës, në pikën e vdekjes së politikës transatlantike, dhe ushqimi i vetëm me të cilin ushqehen sot njerëzit në Kosovë është nacionalizmi primitiv që siguron vota, por jo të ardhmen e Kosovës.

Viktima e parë e “botës së re” që lind është vdekja e politikës transatlantike dhe Kosova është fëmija jetim i këtij divorci.

Sot, pas 27 vitesh liri, falë politikës transatlantike, Kosova vazhdon të mbetet me njohje të paplota, me mungesë anëtarësimi në OKB dhe me një dialog të pafund me Serbinë, që është kthyer në një mekanizëm të lodhjes së procesit të pavarësisë së Kosovës.

Suksesi ushtarak i politikës transatlantike më 1999 nuk u përkthye në një sukses politik. Dialogu pa fund është shprehje e një procesi të rrezikshëm që e ka lënë Kosovën në një zonë gri të sovranitetit.

Edhe pse më 1999 të gjithë besonim se Kosova do të ishte fëmija model i politikës transatlantike, me kalimin e viteve ajo humbi objektivin e saj dhe sot është një objekt i menaxhimit të krizave dhe tensioneve periodike etnike nga Perëndimi.

E gjithë kjo erdhi se Kosova u bë viktimë e ndarjeve brenda Perëndimit, sidomos ndarjeve evropiane.

Në vitin 2018, Shtëpia e Bardhë filloi një proces të rishikimit të marrëveshjes Kosovë–Serbi, e cila në fund përfundoi me një projekt-marrëveshje që propozonte një njohje reciproke Serbi–Kosovë, një amnisti të përhershme për aktorët e luftës së Kosovës nga të dy palët dhe një shkëmbim territori.

E vërteta është se SHBA qëndroi fort pas marrëveshjes dhe zgjoi Evropën nga gjumi. Në një takim në Tiranë me përfaqësues të ambasadës së SHBA në atë kohë, ku unë merrja pjesë, zëvendësambasadorja në detyrë na mbajti një fjalim duke cituar këshilltarin e sigurisë John Bolton që fliste për një “shkatërrim të ri krijues në Kosovë”.

Marrëveshja nuk u bë kurrë publike, por e propozuar nga Shtëpia e Bardhë dhe e negociuar me disa kancelari perëndimore po nga SHBA, ajo ngjalli një alarm jo të pajustifikuar në Bruksel, por edhe tek transatlantikët e SHBA në atë kohë në opozitë, çka bëri që të motivohej prokurori anti-Trump Jack Smith të priste flet-arrestin për Presidentin Hashim Thaçi dhe drejtues të tjerë të UÇK-së duke i çuar në Hagë.

Arsyeja përse ata shkuan në Hagë nuk ishin krimet e luftës, të cilat ende nuk po verifikohen, por krisja e politikës transatlantike. Ata janë dëshmorët e parë të kësaj krize.

Me rikthimin e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, kjo marrëveshje nuk është rikthyer më në tryezë, por normalizimi i raporteve Serbi–Kosovë po.

Nuk është e sigurt nëse Shtëpia e Bardhë do ta realizojë objektivin e saj, por në kushtet e vdekjes së politikës transatlantike, nëse SHBA nuk merr përsipër Kosovën, aty do të ndërhyjnë aktorë të tretë, do të rritet ndikimi rus në Serbi, mund të rritet depërtimi kinez ekonomik dhe, si reaksion, fryma populiste nacionaliste në Kosovë, që do t’ia bëjë edhe më keq varrin Kosovës.

Ajo shërben sot si bazë elektorale për Albin Kurtin, por nuk mund të jetë një karburant që mban në lëvizje udhëtimin e Kosovës në histori. Kosova nuk është vetëm problem dypalësh me Serbinë, por ilustrimi i vetëm i suksesshëm i arkitekturës euro-atlantike në Ballkan. Ajo nuk vdes duke ikur vetëm, por merr me vete gjithçka ka bërë Perëndimi për të dhe për veten e tij.

Në kushtet e vdekjes së politikës transatlantike, klasa politike në Kosovë nuk duhet të veprojë apo të mendojë se si të bëjë betejë me veset e reja të Perëndimit, por si të mos bëhet armike e tij. Rreziku është se Kosova tani nuk është më një projekt strategjik i Perëndimit, por një dosje e bezdisshme diplomatike e tij. Dhe kjo është shumë e rrezikshme.

E di që nuk është shumë evropiane shkuarja e Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë në Bordin e Paqes, por refuzimi do të ishte një luks i madh për një komb të vogël proamerikan si Shqipëria. Përkundrazi, kjo pjesëmarrje le të jetë një sinjal për Evropën nëse do t’i përmbahet arsyeve përse e çliroi Kosovën apo jo. Dhe natyrisht, nëse SHBA e bën këtë vetëm dhe pa Evropën, duhet t’i jemi mirënjohës për jetë.

Kosova është sot një fëmijë i lënë rrugëve nga divorci mes SHBA dhe Evropës. Ata që egzaltohen sot në Prishtinë duke ndaluar makina me targa serbe e duke ngjitur sipër flamuj shqiptarë janë pasojat e një fëmije jetim të lënë rrugëve, që në finale vrasin veten

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy