Kurti: S’mund të mos i kujtoj përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë

by informim peje

Kryeministri Kosova, Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë për 18-vjetorin e pavarësisë, ka deklaruar se në këtë ditë feste dhe reflektimi nuk mund të mos kujtohen përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës, të cilët sot mbahen, sipas tij, padrejtësisht në Hagë.

Sipas Kurtit, kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do të japë gjykimin e drejtë.

banner

“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat kulmuan me luftën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull.

Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë dhe demokracisë, barazisë dhe drejtësisë, prosperitetit dhe gjithëpërfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit.

Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri – nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121, deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore. Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimi Evropian dhe në Këshilli i Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithëve”, tha Kurti.

Ai vlerësoi edhe kontributin e ish-drejtuesve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, përfundoi ai./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy