Në një duel kyç për mbijetesën në Serie A, Ylber Ramadani kontribuoi në fitoren 2-0 të Lecce ndaj Cagliarit, duke dyfishuar rezultatin në minutën e 76-të me një goditje të fuqishme drejt rrjetës. Golin e parë e shënoi Omri Gandelman me kokë në minutën e 65-të.
Pas ndeshjes, Ramadani deklaroi për kanalin DAZN se golin ia dedikon gruas së tij, e cila është shtatzënë, duke ndarë emocionin personal pas këtij momenti të rëndësishëm:
“Ia dedikoj golin gruas sime, sepse është shtatzënë dhe po e presim një fëmijë. Jam shumë i lumtur për këtë moment personal dhe për ekipin. Lufta për mbijetesë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, çdo ndeshje është si finale për ne. Duhet të vazhdojmë kështu, me përqendrim maksimal dhe sakrificë deri në fund.”
Me këtë fitore, Lecce merr një hap të rëndësishëm larg zonës së rënies, duke krijuar një avantazh prej tre pikësh ndaj ekipeve që mbeten në zonën e rrezikimit pas 25 xhirosh në Serie A.

