Janari i rëndë për qytetarët: Çmimet rriten 5.8%, jeta bëhet edhe më e papërballueshme

by engel

Çmimet e konsumit në Kosovë vijojnë të rëndojnë buxhetin e familjeve, duke shënuar rritje vjetore prej 5.8 për qind në janar 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor arriti në 1.2 për qind në raport me dhjetorin 2025.

Të dhënat e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) tregojnë se rritja është rezultat i shtrenjtimit të një game të gjerë mallrash dhe shërbimesh bazë, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e jetesës.

banner

Sipas ASK-së, inflacioni vjetor është nxitur kryesisht nga rritja e ndjeshme e çmimeve të biletave të fluturimeve me 50.4 për qind, furnizimit me ujë dhe shërbimeve të lidhura me banimin me 44.4 për qind, lëndëve djegëse të ngurta si dru zjarri dhe pelet me 17.2 për qind, energjisë elektrike me 16.7 për qind, pemëve me 15.5 për qind, si dhe mirëmbajtjes dhe riparimit të pajisjeve personale të transportit me 15.1 për qind.

Rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe te shërbimet e transportit personal, pushimet e organizuara, mishi, si dhe kafeja, çaji dhe kakao. Po ashtu, më shtrenjtë paguhen qumështi, djathi dhe vezët, shërbimet hoteliere, shërbimet ambulantore, pijet alkoolike, produktet për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake, peshqit, kujdesi personal, ëmbëlsirat, veglat për shtëpi e kopsht, buka dhe drithërat, vajrat dhe yndyrat, duhani, veshmbathja, perimet dhe këpucët. Ndikimi i përbashkët i këtyre nëngrupeve në IHÇK vlerësohet në 6.2 për qind.

Në të njëjtën kohë, një lehtësim i vogël është vërejtur te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me rënie prej 7.3 për qind në baza vjetore, duke ndikuar negativisht me 0.4 për qind në indeks.

Sa i përket inflacionit mujor prej 1.2 për qind në janar 2026, ASK-ja thekson se ai është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të biletave të fluturimeve me 42.1 për qind, furnizimit me ujë dhe shërbimeve të banimit me 41.4 për qind, lëndëve djegëse të ngurta me 4.6 për qind, perimeve me 4.2 për qind dhe energjisë elektrike me 1.5 për qind.

Megjithëse karburantet kanë shënuar ulje mujore prej 3.4 për qind, duke ndikuar negativisht me 0.2 për qind në indeks, kjo rënie nuk ka mjaftuar për të zbutur valën e përgjithshme të shtrenjtimit. Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe shërbimeve jetike, fillimi i vitit 2026 po e gjen qytetarin përballë një presioni gjithnjë e më të madh financiar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy