Gazetari i njohur Marin Mema ka ndarë në rrjetet sociale një histori rrëqethëse që rikthen në kujtesë një nga figurat më frymëzuese të luftës për liri në Kosovë.
“Në 26 janarin e vitit 1999 djaloshi u kthye për herë të fundit në shtëpinë e tij…”. Kështu nis rrëfimi i Memës për të riun që prej vitesh jetonte në Angli, ku kishte ndërtuar një jetë të qetë, punonte dhe ndihmonte familjen në Shqipëri. Por malli për prindërit e solli sërish në shtëpi, në një ditë të ftohtë janari, pa paralajmërim.
Ai u shfaq papritur në portën e shtëpisë, duke surprizuar nënën dhe babanë. Përqafime të gjata, biseda si dikur, mall që lexohej në sy dhe në fotografitë e asaj mbrëmjeje – ishte një rikthim i mbushur me dashuri, por edhe me një vendim të pathënë.
Të nesërmen në mëngjes, më 27 janar, ai u ngrit herët. Prindërve u tha se do të shoqëronte dy gazetare britanike. Në të vërtetë, kishte marrë një vendim që do t’i ndryshonte përgjithmonë rrjedhën jetës. Kishte vendosur t’i bashkohej radhëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Nuk u tha asgjë prindërve. Nuk donte t’i linte netëve të gjata pa gjumë, me zemrën e mbushur me ankth. Para se të largohej, i përqafoi edhe një herë, me premtimin se do të kthehej shpejt. U nis drejt Tiranës, më pas në Kukës, në pikën e mobilizimit, e pak javë më vonë në frontin e luftës.
I riu u vendos në vijën e parë të frontit. Luftoi me guxim e vendosmëri deri më 31 mars 1999. Në një të mërkurë me luftime të ashpra, një goditje e minahedhësit i mori jetën. Ishte vetëm 28 vjeç.
Djaloshi quhej Indrit Cara, i njohur si “Ushtar Kavaja”. Ai ra në fushëbetejë për të mos vdekur kurrë në kujtesën e shqiptarëve.
Rrëfimi i Marin Memës është një homazh për sakrificën, dashurinë për atdheun dhe për puthjen e fundit të një nëne, që mbeti përgjithmonë në zemrën e historisë./Informim.net

