Rama sfidon Muratin: “Mos e mbani peng buxhetin e Kryeqytetit në 2026”

by engel

Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, i ka kërkuar publikisht ministrit të Financave, Hekuran Murati, që buxheti i Komunës së Prishtinës të përfshihet në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, duke e cilësuar çështjen si detyrim institucional dhe moral.

Përmes një letre zyrtare, Rama ka bashkëngjitur Buxhetin e vitit 2026, të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës më 6 shkurt, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga Ministria e Financave. Në letër theksohet se projektligji për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës ndodhet në procedurë të shqyrtimit parlamentar, ndërmjet dy leximeve, çka sipas tij krijon hapësirë ligjore për përfshirjen e buxhetit komunal.

banner

“Duke marrë parasysh faktin se projektligji për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës është në procedurë të shqyrtimit parlamentar, ndërmjet dy leximeve, kërkojmë nga ana juaj që të veproni menjëherë në pajtim me nenin 62.3 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, duke e dorëzuar buxhetin e miratuar të Komunës së Prishtinës për ta përfshirë në ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026”, thuhet në kërkesën zyrtare.

Përplasja mori edhe dimension publik, pasi Rama i është drejtuar drejtpërdrejt Muratit përmes një statusi në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje për arsyet e lënies jashtë të buxhetit të Kryeqytetit.

“Hekuran Murati, ki detyrim institucional e moral me tregu pse buxheti i Prishtinës po lihet jashtë buxhetit 2026?!”, ka shkruar ai.

Çështja e buxhetit të Kryeqytetit pritet të thellojë debatin politik mes nivelit lokal dhe atij qendror, në një kohë kur ndarjet buxhetore për vitin 2026 konsiderohen vendimtare për projektet zhvillimore dhe funksionimin normal të komunave në të gjithë vendin.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy