Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po intensifikojnë praninë e tyre ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme, përderisa bisedimet për programin bërthamor të Teheranit mbeten të bllokuara dhe tensionet rriten.
Forcat iraniane zhvilluan stërvitje të përvitshme ushtarake së bashku me Rusinë në Gjirin e Omanit dhe Oqeanin Indian. Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, manovrat synojnë rritjen e koordinimit operacional dhe shkëmbimin e përvojave ushtarake. Gjatë javës, Irani zhvilloi gjithashtu stërvitje me municion të vërtetë në Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç për tregtinë globale të naftës.
Paralelisht, aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford është parë pranë hyrjes së Detit Mesdhe dhe mund të zhvendoset drejt Mesdheut lindor. Shtimi i pranisë detare dhe ajrore amerikane në rajon përfshin edhe dhjetëra avionë luftarakë, përfshirë modele F-35, F-22 dhe F-16, duke rritur kapacitetin operacional të SHBA-së në rast të përshkallëzimit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se shpreson për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, por ka paralajmëruar se në mungesë të saj, SHBA mund të ndërmarrë veprime ushtarake. Ai ka theksuar në rrjete sociale se nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, Uashingtoni mund të “eliminojë një kërcënim të mundshëm”.
Bisedimet indirekte mes dy palëve kanë vazhduar javët e fundit, por sipas burimeve amerikane nuk është shënuar përparim i dukshëm. Delegacioni iranian ka njoftuar se do të paraqesë propozime më të detajuara në javët në vijim për të ngushtuar dallimet.
Ndërkohë, shqetësimi ndërkombëtar është rritur. Kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje qytetarëve të tij të largohen menjëherë nga Irani, duke paralajmëruar për mundësinë e përkeqësimit të situatës. Gjermania ka zhvendosur një pjesë të personelit ushtarak nga një bazë në Irakun verior, në përputhje me veprimet e partnerëve të saj.
Edhe Izraeli po ndjek me vëmendje zhvillimet. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërkuar prej kohësh një qasje më të ashpër ndaj Iranit, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të përfshijë jo vetëm programin bërthamor, por edhe arsenalin raketor dhe lidhjet e Teheranit me grupet e armatosura në rajon.
Irani, nga ana e tij, këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe se bisedimet duhet të fokusohen vetëm në këtë çështje. Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se çdo sulm do të çonte në një konflikt më të gjerë rajonal.
Tensionet janë rritur edhe brenda vendit, ku përkujtimet për protestuesit e vrarë gjatë trazirave të fundit janë shoqëruar me thirrje kundër qeverisë. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për dënime me vdekje ndaj disa të ndaluarve, ndërsa situata mbetet e paqartë nëse kriza diplomatike do të zgjidhet përmes negociatave apo do të marrë një drejtim tjetër.

