Kosova dhe Shqipëria janë në mesin e pesë shteteve që janë zotuar të kontribuojnë me trupa në kuadër të një Force Ndërkombëtare të Sigurisë për Gazën, një iniciativë e prezantuar gjatë takimit të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Lajmi u bë i ditur nga komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, Gjeneral Major Jasper Jeffers, i cili tha se pesë vendet e para që janë angazhuar për dërgimin e trupave janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Sipas tij, Egjipti dhe Jordania do të kontribuojnë në trajnimin e policisë.
Jeffers bëri të ditur se vendosja e forcës do të nisë në qytetin e Rafës, në jug të Gazës, ku fillimisht do të përqendrohet në trajnimin e policisë lokale dhe më pas do të zgjerohet “sektor pas sektori”. Plani afatgjatë parasheh angazhimin e rreth 20 mijë trupave ndërkombëtare dhe trajnimin e 12 mijë pjesëtarëve të policisë.
Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Angazhimi i Kosovës dhe Shqipërisë në këtë forcë vjen në një moment kur përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza po intensifikohen, me synimin për të krijuar mekanizma sigurie dhe administrimi që do të mbështesin rindërtimin dhe funksionimin e rendit publik në territor.

